Haraqija, zëvendësministër i Financave

Astrit Haraqija, anëtar i “Listës dr. Ibrahim Rugova”, është emëruar zyrtarisht zëvendësministër i Fiancave në qeverinë dytë të njeriut që më parë e kishte quajtur të dështuar, Hashim Thaçit.
Në kohën sa ishte ministër i Kulturës kishte në dispozicion më pak se 10 milionë euro buxhet, kurse tash është zëvendësministër i Financave, nëpër të cilën kalojnë krejt financat e vendit.
Marrjen e këtij posti nga Haraqija nuk e ka postuar as në llogarinë e tij në “Facebook”, ku ende si punëdhënës të vetëm e ka kompaninë “Make Up - auto-sistem”.
As në uebfaqen e Ministrisë së Financave nuk është vendosur biografia e Haraqisë, dhe aty aktualisht janë biografi dhe foto vetëm të ministrit Bedri Hamza dhe zëvendësministrit tjetër, Ramadan Avdiu, të dy nga PDK-ja.
Ai nuk pranon të flasë për më shumë detaje rreth punës së tij të re.
“Qe dy javë ia kam filluar punës”, është përgjigjur shkurt Haraqija. Ai i ka ikur edhe përgjigjes se cilat janë kompetencat e tij në këtë ministri.
“Ministria nuk është pronë private me i nda kush me cilin institucion me u marrë. Ne punojmë qato që naj jep ministri në mbledhje të mëngjesit, takojmë qata njerëz që na i cakton ai. Shkurt, i kryejmë qato detyra që na i cakton ministri gjatë ditës”, thotë për “Zërin” Haraqija.