Harasani: CEZ paguan drejtorin 66 mijë euro në muaj me lekët e shqiptarëve
Ish-drejtori i KESH-it dhe OSSH-së, Andis Harasani tha dje se kompania CEZ, me lekët e shqiptarëve paguan 375 mijë euro në muaj për 9 punonjës. Vetëm drejtori merr 66 mijë euro në muaj. Reagon CEZ: Drejtori merr vetëm 1 mijë euro nga Shqipëria, të tjerat nga Çekia
Kompania CEZ, për 9 drejtuesit kryesorë të saj paguan rroga 375 mijë euro në muaj, ku vetëm drejtori i kompanisë merr një pagë prej 66 mijë eurosh në muaj. Shifrat në lidhje me pagesat marramendëse të drejtuesve të kompanisë së shpërndarjes së energjisë CEZ i ka bërë të ditur dje gjatë seancës plenare deputeti socialist, ish-drejtori i KESH-it dhe OSSH-së, Andis Harasani. Ky i fundit tha se këto supershpenzime i paguajnë shqiptarët nëpërmjet tarifave të energjisë. Mirëpo i menjëhershëm ka qenë reagimi i CEZ-it, i cili deklaroi pak orë më pas se shifrat e përmendura nga deputeti socialist nuk përkojnë me realitetin. CEZ thotë se dega shqiptare e kompanisë paguan aktualisht vetëm 3 menaxherë të huaj me pagë 1 mijë euro në muaj, që janë dhe anëtarë të bordit drejtues. Pjesa tjetër e pagave për këta menaxherë thotë CEZ, paguhet nga kompania mëmë në Çeki dhe nuk prekin financat e CEZ-Shpërndarjes në Shqipëri. Deputeti i Partisë Socialiste, ish-drejtor i Përgjithshëm i KESH-it, Andis Harasani denoncoi në Kuvend pagat e larta që marrin drejtuesit e kompanisë CEZ, një pjesë e aksioneve të së cilës i përket ende publikut. "Drejtori paguhet 66 mijë euro në muaj. Dua të di kush e paguan këtë faturë dhe, a paguan tatim fitimi?" - tha Harasani. Duke dhënë këto shifra, deputeti Harasani i ka kërkuar ministrit të Financave, Ridvan Bode, se sa është tatimi që kompania CEZ paguan për drejtuesit kryesorë të saj. Mirëpo ministri Bode i pranishëm në seancë, duke replikuar me Harasanin i ka thënë këtij se kompania CEZ është private dhe qeveria nuk ka lidhje me pagat e tyre. Mirëpo shqetësimi i ish-drejtuesit të KESH-it lidhet me faktin se pagat e larta të drejtuesve të CEZ-it i janë referuar Entit Rregullator të Energjisë si kosto, duke kërkuar edhe rritjen e çmimit të energjisë për vitin 2012. Në mars të vitit 2009, qeveria shqiptare ka lidhur kontratën e shitjes së OSSH-së tek kompania çeke CEZ. Sipas formulës së privatizimit, CEZ ka 76 për qind të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër prej 24 për qind është në pronësi të shtetit shqiptar. Kështu, qeverisë shqiptare i lind e drejta të jetë pjesëmarrëse në të gjitha vendimet që merr kompania në lidhje me drejtimin e kompanisë që nga niveli i pagave dhe investimet. Kompania e shpërndarjes së energjisë ka qenë këto ditë në qendër të akuzave të ekspertëve vendas të energjisë. Ajo është akuzuar për keqmenaxhim të sektorit dhe mosrealizim të planit të investimeve. Pajtim Bello, ish- zv/ministër i Energjetikës, tha për mediat një ditë më parë se duhet zgjidhur urgjent përdorimi me eficiencë i energjisë. Në Shqipëri, ende një pjesë e mirë e energjisë vidhet dhe nuk faturohet. Dhe këto quhen humbje në rrjet që shkojnë në nivelin 40 për qind. Kurse nga energjia e faturuar arkëtohet vetëm 70 për qind.
CEZ: Paga e drejtorit vetëm 1 mijë euro nga Shqipëria të tjerat nga Cekia
Cez Shpërndarje ka reguar menjëherë pas deklaratave të Harasanit në Kuvend duke shpejguar se, shifrat e përmendura nga deputeti socialist nuk përkojnë me realitetin. CEZ thotë se “dega shqiptare e kompanisë paguan aktualisht vetëm 3 menaxherë të huaj me pagë 1 mijë euro në muaj, që janë dhe anëtarë të bordit drejtues. Pjesa tjetër e pagave për këta menaxherë thotë CEZ, paguhet nga kompania mëmë në Çeki dhe nuk prekin financat e CEZ-Shpërndarjes në Shqipëri. Kompania e shpërndarjes së energjisë ka qenë këto ditë në qendër të akuzave të ekspertëve vendas të energjisë. Ajo është akuzuar për keqmenaxhim të sektorit dhe mosrealizim të planit të investimeve. Pajtim Bello, ish- zv/ministër i Energjetikës, tha për mediat një ditë më parë se duhet zgjidhur urgjent përdorimi me eficiencë i energjisë. Në Shqipëri, ende një pjesë e mirë e energjisë vidhet dhe nuk faturohet. Dhe këto quhen humbje në rrjet që shkojnë në nivelin 40 për qind. Kurse nga energjia e faturuar arkëtohet vetëm 70 për qind.