Rënia e euros, fitojnë bankat, humbin qytetarët
Ekspertët në agjencitë e këmbimit valutor dhe ato në banka pohojnë se qytetarët kanë rritur kërkesën për të konvertuar euron. Bankat po rrisin grumbullimet në valutë
Vlera e euros në tregun e brendshëm po bie në pikiatë këto ditët e fundit. Një euro është blerë dje nga agjencitë e këmbimit me 136.2 lekë dhe është shitur me 136.8 lekë, me një vlerë gati me një pikë më të ulët se në fund të javës. Ekspertët në agjencitë e këmbimit valutor dhe ato në banka pohojnë se ata që kanë rritur kërkesën për të konvertuar euron me lekë janë qytetarët depozitues, të cilët janë të frikësuar për kursimet e tyre në monedhën e përbashkët nga kriza në eurozonë. investitorët e mëdhenj të euros po tregohen më skeptikë ndaj këtij fenomeni. Madje, disa prej tyre janë duke e shfrytëzuar këtë situatë për grumbulluar valutë. Ekspertë në agjencitë e këmbimeve thonë se kjo situatë nuk do të zgjasë edhe shumë ditë dhe ata që do të humbasin do të jenë po qytetarët, të cilët tashmë gjatë këtyre konvertimeve kanë humbur interesat e depozitave të tyre dhe gjithashtu kanë humbur edhe nga kursi i këmbimit, duke i konvertuar kursimet e tyre me monedhën kombëtare, lekun. Ndërsa për bankat dhe tregtarët e valutës kjo është një periudhë e artë, pasi duke e grumbulluar valutën me këtë çmim, ata e kanë fitimin e sigurt në një periudhë të mëvonshme, kur tregu vendas të stabilizohet. Mirëpo nga kjo situatë e krijuar në kursin e këmbimit ka disa përfitues dhe disa humbës. E para fiton qeveria, e cila për shkak të rritjes së vlerës së lekut do të paguajë më pak për shlyerjen e borxhit të jashtëm. Përfitues do të jenë edhe ata kredimarrës në euro, të cilët për sa kohë që euro të jetë në rënie të vlerave, do të harxhojnë më pak për të paguar këstet mujore të kredive. Gjithashtu, nga e gjithë kjo situatë, të gjitha shërbimet që ofrohen në euro bëhen më të lira për qytetarët që rrogat i kanë në lekë. Po nga ana tjetër, eksportuesit shqiptarë nuk favorizohen nga kjo situatë. Kjo, pasi një lek i fortë ndaj euros do të thotë më pak fitime për ta. Këmbimi i euros me lekun ka arritur kështu nivelin më të ulët që nga qershori i vitit 2010. Dhe kësaj here, jo për shkak të ofertës së madhe për valutë, por për shkak të humbjes së besimit ndaj euros nga depozituesit shqiptarë.