E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS e Beratit: Mbështesim vetëm Edi Ramën

 

Dega e Partisë Socialiste në Berat mbështet publikisht kryetarin e PS-së, Edi Rama, pas disa zërave të artikuluar së fundi kundër tij. Nëpërmjet një peticioni që po hartohet, 35 organizata në këtë qytet kërkojnë që e gjithë baza socialiste të mbështesë Ramën si e vetmja alternativë drejtuese dhe e besueshme për këtë forcë politike. Ish-kryetari i FRESSH-it dhe njëkohësisht anëtar i kryesisë së kësaj dege, Edi Spahiu kërkoi në emër të të gjitha organizatave të PS-së në këtë qark, që të mbështetet kreu aktual i kësaj partie. “I japim mbështetjen zotit Rama, sepse nuk duam që politika e vjetër që drejtohet nga një grusht njerëzish, që një pjesë e tyre mbetën nëpër kazinotë e Greqisë dhe që përçmojnë vlerat e Partisë Socialiste dhe të liderit Edi Rama”, theksoi Spahiu. Sipas tij, Rama është e vetmja alternativë në krye të Partisë Socialiste, madje edhe nëse ai tërhiqet dhe rikandidon për kreun e partisë, dega e Beratit do të votojë në favor të Ramës. “Për këtë arsye ne kërkojmë që në çdo moment të mbështesim Edi Raman, si të vetmen alternativë drejtuese dhe të besueshme në Partinë Socialiste. Rikandidimi i Edi Ramës për kryetar partie, në çdo moment ka votën e socialistëve të Beratit. Ne nuk duam rikthimin e figurave të vjetra që janë aktorë të rregullt në pazaret me Sali Berishën, dhe që kanë shitur pushtetin në 2005 – sën”, tha Spahiu. Ai akuzoi ish-kryetarin e Partisë Socialiste, Fatos Nano se po tenton të rikthehet në krye të kësaj partie për interesa personale. “Njëri nga ato figura, tashmë të vjetra në këtë parti, është dhe ish-kryetari Nano, që për pazaret që bën i shkon për shtat, por ne nuk do të lejojmë që PS të kthehet në një lopë, ku disa persona për interesat e tyre të mjelin atë. Nano me disa kulisa të tij kanë filluar të lëvizin në prag të mbledhjes së asamblesë për të larguar kryetarin e Rama. Ne socialistët e Beratit i bëjmë thirrje Nanos të largojë duart nga Partia Socialiste dhe kryetari saj Edi Rama”, është shprehur anëtari i kryesisë në këtë degë Edi Spahiu. D.Xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›