E Diel, 1 Nëntor 2026

Harasani: Nga bojkoti humbasin socialistët dhe PS, jo maxhoranca

 

Deputeti socialist Andis Harasani u shpreh dje se në PS po jepen shenjat e bojkotit të mendimit ndryshe. I pyetur rreth takimit që kryetari socialist Edi Rama zhvilloi dje me disa grupe deputetësh, në të cilin Harasani nuk ishte i ftuar, deputeti socialist shprehu shqetësimin për një gjë të tillë. “Sot është zhvilluar një mbledhje e kryetarit me deputetë të qarkut të Tiranës. Unë nuk jam lajmëruar. Uroj që të mos jenë shenjat e para të bojkotit të mendimit ndryshe në PS”, u shpreh Harasani. Duke komentuar deklaratën e ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, sipas të cilit “Parlamenti është vendi ku zhvillohet debati politik në vendet demokratike”, Harasani tha se është shqetësuese që dhe në vitin 2009 të huajt vazhdojnë të na tregojnë se çfarë duhet të bëjmë. Deputeti socialist ndan një qëndrim krejt të kundërt me atë të kryetarit socialist në lidhje me bojkotin e Parlamentit. “Kemi të bëjmë me një nonsens logjik, pasi mund të bësh bojkot ndaj qeverisë, por jo ndaj Parlamentit. Deputetët janë votuar që të përfaqësojnë vullnetin e popullit në Parlament. Çdo hap që po ndërmerr PS-ja po kthehet në një qerthull të rrezikshëm për PS-në. Të vetmit që dëmtohen nga bojkoti janë socialistët dhe Partia Socialiste. Maxhoranca mund të funksionojë në mënyrë të rregullt edhe pa prezencën tonë në Kuvend, pasi qeveria i ka numrat e nevojshëm për të miratuar ligje”, tha Harasani. Deputeti socialist shprehu shqetësim për paqartësinë që ekziston në PS për momentin dhe mënyrën se si deputetët socialistë do të kthehen në Parlament.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›