Biçikletat e Xhuvanit nisin garën në Prishtinë
Alma Mile
Kur të gjithë duan të ikin, ata kërkojnë të kthehen. I harruar nga vendi i vet, një grup sportistësh shqiptarë kërkon të kthehet në atdhe, pas një turi çiklistik, por rruga e kthimit nuk do të jetë edhe aq e thjeshtë për ta. "Lindje-Perëndim-Lindje" me regji të Gjergj Xhuvanit do të hapë edicionin e parë të festivalit ndërkombëtar të filmit, "PriFilmFest", në Kosovë, me shpresën që të jetë një ogur i mirë, jo vetëm për festivalin, i cili shënon hapin e tij të parë, por edhe për rrugëtimin e tij kinematografik. "Lindje, Perëndim, Lindje" është një nga filmat e fundit shqiptarë me financim të Qendrës Kombëtare Kinematografike, i cili ende nuk është shfaqur në kinemanë shqiptare, por që sipas drejtorit të QKK, Xhevdet Feri, pritet të shfaqet së shpejti. Në qendër të filmit është një grup çiklistësh, i drejtuar nga një sportist veteran, Ilo Zoto, të cilët mbeten "peng" të ndryshimeve që po ndodhin në Shqipërinë e viteve '89-'90. Në rolin kryesor të filmit me regji e skenar të Xhuvanëve, babë e bir interpreton aktori Ndriçim Xhepa dhe një kastë e tërë aktorësh të rinj, të cilëve u është dashur të ecin jo pak me biçikleta në film, si Helidon Fino, Gentian Hazizi, Lulzim Zeqja, Ervin Bejleri, Fatjon Pustina për të vijuar me Romir Zallën, Petrit Malajn, Irsa Demnerin, Nela Lucic dhe Orjon Halilin.
Ngjarjet zhvillohen në vigjilje të një dekade të re. Një ekip çiklistësh duhet të përfaqësojë Shqipërinë komuniste në një tur çiklistik që zhvillohet në Francë. Për të krijuar një ekip kombëtar me çiklistët më të mirë të momentit, ministria e asaj kohe, përzgjedh si trajner, pikërisht Ilo Zoton, ish-kampionin e dikurshëm, por tanimë të harruar dhe të kthyer në një dyqanxhi të rëndomtë biçikletash. Zoto i kthehet sportit pas 20 vjetësh, pa e ditur se kësaj here nuk bëhej fjalë për një garë të zakonshme, por për një aventurë të gjatë. Entuziazmi i grupit çiklistik duket se nuk do të zgjasë shumë. Është koha e ndërrimit të sistemeve, atëherë kur ndodh eksodi i anijeve drejt vendit fqinj Italisë dhe situata politike dhe sociale në Shqipëri është aq e rënduar, saqë askush nuk kujtohet më për çiklistët e larguar drejt Francës. Në momentin kur sportistët duan të kthehen, nuk munden sepse kufijtë janë bllokuar, sidomos nga krahu i portit të Durrësit, nga ku edhe dolën. Peripecitë që shoqërojnë udhëtimin e sportistëve shqiptarë janë të panumërta, të shoqëruara me nota tragjike dhe komike njëkohësisht. Filmi është xhiruar në Shqipëri, Itali dhe Maqedoni. Fillimisht filmi do të shfaqet në Prishtinë, për të vijuar më tej rrugëtimin në kinematë vendase, apo ekranet e festivaleve të tjera ndërkombëtare.
Ceremonia e hapjes së "PriFilmFest" do të jetë në datën 22 shtator në Teatrin Kombëtar në Prishtinë. Sipas organizatorëve, aty do të jetë edhe epiqendra e festivalit, ku do të shfaqen filmat konkurrentë të kategorisë "Winners", pra fituesit e shpërblimeve "Oscar", "Golden Globe", "Golden Bear" në Festivalin e Berlinit, Festivalin e Kanës, etj. Gjithashtu, festivali do të shtrihet edhe në salla të tjera, si në kinemanë e "American School of Kosova", ku do të shfaqen retrospektiva të filmave kosovarë, që janë prodhuar para dhe pas luftës, "Pre and Post War Kosovo Cinema" si dhe disa shfaqje të filmave të huaj. Krahas filmit të Xhuvanit, "Lindje-Perëndim-Lindje", në festivalin e Prishtinës konkurron edhe filmi "Koha e Kometës" me regji të Fatmir Koçit, i cili vetëm tre ditë më parë u shfaq në ekranin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Montreal.