Topalli merr të gjitha votat e maxhorancës,Rama: Hapni kutitë që nesër në Kuvend
BLEDAR HOTI
Jozefina Topalli rizgjidhet në postin e kryetares së Parlamentit me 74 vota pro dhe një kundër. Seanca e djeshme ka rizgjedhur drejtuesin e ri të Kuvendit, duke bërë në këtë betejë të jetë vetëm një kandidaturë, ajo e demokrates Jozefina Topalli. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, bëri të ditur se kanë si kandidaturë të tyren emrin e Jozefina Topallit, e cila është firmosur sipas tij nga më shumë se 15 deputetë. “Mbështetësit për kandidaturën tonë vijnë edhe nga aleatët tanë të partive të tjera”, deklaroi Patozi. Sipas burimeve mësohet se janë rreth 60 deputetë që kanë firmosur për kandidaturën e Topallit, ku nuk mungonin as deputetët e LSI-së. Drejtuesi i seancës, Fatos Beja, pas propozimit të bërë kërkoi që të realizohej ngritja e komisionit prej pesë vetash që do të realizonte procesin e fshehtë të votimit për kreun e Kuvendit. Ilir Bano, Sokol Olldashi, Arenca Trashani, Igli Cara të PD-së dhe Dritan Prifti i LSI-së kanë qenë sekretariati i procedurave të votimit. Më pas ka nisur votimi i fshehtë, ku të gjithë deputetët me radhë kanë marrë fletën me ngjyrë të gjelbërt nga komisioni i ngritur për të votuar në kutinë e veçantë. Procesi i votimit ka zgjatur më pak se 30 minuta. Deputeti Olldashi ka qenë i vetmi anëtar i komisionit që në momentin e dhënies së fletës së votimit nuk ka ngurruar të shkëmbejë batuta me Vangjel Dulen, Lefter Kokën, Paulin Stërkajn etj. Në procesin e numërimit, fleta e tretë e votimit ishte kundër kandidaturës së Topallit. Kjo votë mund të jetë e kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili e hodhi fletën i fundit gjatë procesit të votimit. Më pas të gjitha votat kanë qenë pro kryetares Topalli. Në deklarimin e votës së fundit pro, e gjithë salla ka shpërthyer në duartrokitje, jo vetëm nga deputetët dhe të ftuarit e shumtë sipër lozhës, por edhe nga ambasadorët e pranishëm në këtë seancë të dytë parlamentare. Ilir Bano deklaroi se, “kanë votuar 75 deputetë, pro kandidaturës kanë qenë 74 deputetë dhe një kundër”, duke bërë që të zgjidhet me 99 për qind të votave. Shpallim kryetare të Kuvendit, Jozefina Topallin”. Më pas vetë e rizgjedhura ka nisur të takojë dhe të shtrëngojë duart e deputetëve përreth saj dhe në rreshtin përballë. Ndërsa i fundit që u përshëndet para marrjes së fjalës ishte kryeministri Sali Berisha.
Topalli, keqardhje për opozitën
Duke falënderuar Partinë Demokratike për rivendosjen në krye të Parlamentit, Topalli theksoi se, “e pranoj me shumë përulësi zgjedhjen si kryetare e Kuvendit për herë të dytë. E vlerësoj si privilegj të jashtëzakonshëm për t’i shërbyer vendit tim. Shpreh keqardhjen që opozita nuk është sot në vendet e saj për të nderuar votën e qytetarëve socialistë. Por unë shpresoj shpejt, për një periudhë debatesh të vlefshme, e një opozite racionale me synimin në interesat e përbashkëta të shoqërisë e Shqipërisë. Pavarësisht nga diferencat që kemi me opozitën, ne jemi qytetarë shqiptarë. Dhe sot dua t’i përsërisim, që jemi të hapur për bashkëpunim. Ne do të bashkëpunojmë. Këtë na e thotë misioni, këtë na e kërkon Shqipëria”, deklaroi Topalli. Duke e cilësuar si legjislaturë të suksesshme në reforma, kryeparlamentarja iu drejtua sallës se, “bashkë do të bëjmë çdo gjë për ta shndërruar këtë institucion në lokomotivën e legjislacionit europian të Shqipërisë. Bashkë do të bëjmë edhe më të fuqishme diplomacinë parlamentare. Bashkë do të bëjmë avokatinë e interesave të Shqipërisë e shqiptarëve. Bashkë do të punojmë për të rritur kontrollin e qeverisjes në çdo shtyllë të këtij shteti”.
Rama: Do përdorim çdo mjet demokratik
Aristir Lumezi
Kryetari i PS-së në detyrë lajmëroi dje përgatitjen e socialistëve edhe për protesta. Rama, gjatë një komunikimi me mediat, u shpreh se socialistët do të komunikojnë me qytetarët për të vepruar me të gjitha format demokratike ndaj manipulimit të votës. “Partia Socialiste nis aksionin e ri politik pas vendimit për të mos marrë pjesë në Kuvendin e ri deri në plotësimin e disa kushteve, kur kryesorja mbetet garantimi nga ana e shumicës hetimi i zgjedhjeve të 28 qershorit e për socialistët janë shfaqje e vullnetit të deformuar të zgjedhësve dhe institucionet e dala prej tyre ilegjitime. Për t’i shpjeguar zgjedhësve të saj në bazë këtë vendim si dhe për të mbrojtur demokracinë me çdo mjet dhe çmim”, u shpreh dje Rama gjatë një konference për shtyp. Kreu socialist në detyrë tha dje se hyrja në Parlament e deputetëve të PS-së mund të bëhet nëse plotësohet edhe një nga kushtet e vendosura, siç është hetimi i zgjedhjeve. “Ne mund të hyjmë në Parlament që nesër, në qoftë se na jepet e drejta elementare që kërkojmë, hetimi i gjithë këtij procesi në pavarësi të plotë nga diktati i shumicës dhe, edhe me praninë e OSBE-ODIHR, që pa asnjë dyshim janë garantët më të besueshëm për të gjitha palët në një hetim të kësaj natyre”, tha Rama. Kreu i selisë rozë i dha përgjigje dje dhe deklaratës së ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, sipas të cilit “Parlamenti është vendi ku zhvillohet debati politik në vendet demokratike”. “Dua të theksoj se jam absolutisht dakord që debati bëhet në Kuvend në një demokraci normale dhe në një Parlament normal. Por nuk jemi në kushtet e as të një demokracie dhe Parlamenti normal. Për këtë arsye kemi vendosur këto kushte, të cilat nuk janë kushte që një palë duhet t’i plotësojë për një palë tjetër. Janë kushte që palët duhet t’i plotësojnë për një popull të tërë, për një vend të tërë që po troket në BE dhe kërkon të bëhet pjesë e BE-së, pasi është bërë pjesë e NATO-s, duke bërë zgjedhje që nuk ngjajnë fare me zgjedhjet në BE apo NATO”, u shpreh Rama. Kreu socialist e cilësoi jetik hapjen e kutive të disa qarqeve. “Kushtet tona janë një bazë për të ristartuar duke bërë transparent, se hapja e kutive të votimit është një normalitet demokratik, një procedurë e pashmangshme për askënd dhe për asnjë vend në rast se ka një kërkesë. Kjo ndodh në SHBA, në vendet e BE-së dhe në Shqipëri kjo nuk lejohet. Sepse në ato kuti në fakt fshihet mëkati i madh i këtyre zgjedhjeve, aty fshihet krimi zgjedhor, në fakt fshihet e vërteta e popullit shqiptar në 28 qershor”.