Deputetët e PS, në bazë për të sqaruar bojkotin dhe protestat
Kryetari socialist në detyrë, Edi Rama, mblodhi dje në grupe të ndryshme deputetët socialistë me të cilët ndau mendimet rreth vazhdimit të bojkotit, por dhe përgatitjes së bazës për protesta në Tiranë. Burime nga takimi me deputetët, pohuan dje se Rama u ka kërkuar deputetëve, të cilët ende nuk kanë marrë mandatin, për shkak të mungesës në seancën e betimit, të dalin në zonat e tyre dhe të kontaktojnë me strukturat, por dhe elektoratin që i ka votuar. Atje ata duhet të sqarojnë arsyet pse po bojkotojnë Kuvendin dhe kushtet me realizimin e të cilave do të bëhet i mundur kthimi i tyre në Kuvend. Mësohet se nuk ka pasur debate rreth qëndrimit të bojkotit të deputetëve socialistë, por mbështetës të Edi Ramës kanë hedhur idenë që më parë të shkohet në Kuvend për të marrë mandatet, për të cilat kanë marrë votat e këtij elektorati, e më pas të vazhdojë bojkoti deri në plotësimin e kushteve të vendosura nga mbledhja e grupit parlamentar socialist. Mësohet se Rama është shprehur i prerë për mosvajtjen në Parlament në deputetëve të paktën deri në votimin e qeverisë së re. Gjithashtu kryetari socialist në detyrë u ka kërkuar dhe diskutimin me bazën socialiste për mundësinë e një proteste në Tiranë kundër manipulimit të zgjedhjeve.