E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harasani: PS-ja duhet të bashkojë të majtën, përfshi edhe LSI-në

Kundrejt kërkesës kryesore të opozitës për ndryshimet kushtetuese, deputeti i PS-së, Andis Harasani, konsideron imediate bashkimin e të majtës

TIRANË Rruga e vetme për fitoren e së majtës është bashkimi i saj, përfshi këtu edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani, ka deklaruar dje se është imediate bashkimi i të majtës. Ky duhet të jetë shqetësimi kryesor i të majtës, sipas Harasanit, teksa pyetet edhe për kërkesën e opozitës për ndryshimet kushtetuese në vend. “Pendesa e Ramës duhet të jetë në mënyrën sesi çau të majtën dhe ka sjellë këtë hendek votash mes opozitës dhe pozitës. Nuk është prioriet i PS-së zgjedhja e Presidentit, por ajo çka mbetet si detyrë e PS-së është ardhja e kësaj partie në pushtet dhe për këtë ka dy zgjidhje: zgjidhja e parë është bashkimi i të majtës, për të cilën është folur, ndërsa e dyta janë diskutimet se çfarë do të bëhet me aleatët e PS-së... Në lidhje me bashkimin me LSI-në, unë mendoj se kjo ka qenë evidente gjatë gjithë kësaj kohe, pra duhet të ketë një bashkim të gjithë të majtës”, - tha Harasani. Deputeti i PS-së konsideroi të nevojshme kthimin e kësaj partie te vlerat dhe te një forcë politike koherente. ”...Kam lexuar editorialet edhe e-mailet e radhës të kryetarit të PS-së, Edi Rama, i cili flet për një kurs të ri. Më vjen keq që PS-ja ka ardhur në këtë pikë, ku në fillim të çdo sesioni parlamentar flitet për politikë të re. Njëherë flitet për politike të re, njëherë flitet për bojkot, njëherë flitet për kurs të ri politik. Mendoj që PS-ja duhet të kthehet te vlerat”, tha ai. Harasani ka një përgjigje edhe për kthimin e PS-së në Kuvend, sesionin e ri parlamentar. “Na mbetet vetëm që t’i themi Ramës komplimente që u largove nga vetëpërjashtimi dhe faleminderit që na u ribashkove”,- shtoi ai. Deputeti i PS-së, i cili ka qenë kritik në qëndrimet tij ndaj politikave të ndërmarra nga Edi Rama, ka sqaruar se qëllimi i tij i vetëm është vetëm ardhja e PS-së në pushtet. “Unë kam hyrë në PS për t’i ofruar vendit një formë ndryshe qeverisje nga ajo e qeverisë së z.Berisha dhe mendoj se qëllim i çdo deputeti është që PS-ja të vijë në pushtet dhe të ofrojë një qeverisje ndryshe, as për z.Rama, as për z.Harasani, as për z.Islami apo për z.Malaj, por për votuesit e PS-së”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›