E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtatori, Berisha shtyn ndryshimet radikale në qeveri

E gjithë axhenda politike, sipas PD-së, do të përqendrohet në dosmodoshmërinë e bashkëpunimit me opozitën, me qëllim miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, reforma zgjedhore si dhe zgjedhjen e disa krerëve të institucioneve në vend.

TIRANË Muaji shtator pritet i nxehtë për politikën, por nuk do të jetë i tillë për zhvillimet brenda mazhorancës. I gjithë aksioni i saj do të përqendrohet në raportet me opozitën, kërkesën për ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore si dhe negociatat për të zgjedhur Avokatin e Popullit. Me pak fjalë, kryeministri Sali Berisha nuk do të ketë në vëmendjen e tij (të paktën për muajin shtator) ndryshimet radikale në qeveri, aq shumë të përfolura nga politika shqiptare. As kritikat e nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Vangjel Tavo, për punën e dobët të ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, dhe as ndonjë zë i veçuar brenda grupit parlamentar të PD-së për të ndryshuar sa më shpejt përbërjen e qeverisë nuk do të jenë në fokusin e kreut të ekzekutivit. “Qeveria nuk është perfekte”,- u shpreh pak kohë më parë kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, edhe pse i njohu kësaj qeverie disa merita, të cilat duket se qarkullojnë si një zë i vetëm në lidershipin e lartë të kësaj partie. Burime nga PD-ja deklaruan dje për gazetën “Mapo” se ndryshimet e diskutuara për në muajin shtator do të shtyhen për një periudhë të mëvonshme, atëherë kur të jenë mbyllur edhe negociatat vjetore me BE-në lidhur me statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. E gjithë axhenda politike, sipas PD-së, do të përqendrohet në dosmodoshmërinë e bashkëpunimit me opozitën, me qëllim miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, reforma zgjedhore si dhe zgjedhjen e disa krerëve të institucioneve në vend. Një lëvizje e tillë e mëvonshme u la të kuptohet edhe nga vetë kryeministri Sali Berisha. Në fund të muajit korrik, në mënyrë krejt të beftë, Berisha i çoi Presidentit të Republikës vetëm emrat për dy vendet vakante në qeveri. Eduard Halimi dhe Aldo Bumçi u votuan më pas në Kuvend në mungesë të dy deputetëve, që i përkasin partive aleate, Vangjel Tavo dhe Shpëtim Idrizi, të cilët aspirojnë jo pak për të qenë pjesë e qeverisë në nivel ministror. Ndërkohë, një tjetër çështje e hapur mbetet ajo me Ilir Metën. Seanca e radhës për këtë të fundit është parashikuar në javën e dytë të muajit shtator në Gjykatën e Lartë, një proces i cili do të zgjasë jo pak, nisur nga ecuria e deritanishme. Procesi gjyqësor ka filluar prej pak javësh, ndërsa vetë Meta hoqi dorë nga kërkesa e avokatëve të tij për ta mbyllur gjyqin për paligjshmëri, duke kërkuar zbardhjen e plotë të akuzave të ngritura nga Dritan Prifti, e të materializuara nga video-përgjimi i realizuar prej tij. Ky proces i mbetur pezull është një arsye më shumë për vetë kryeministrin Berisha që të mos nxitohet në emërimet e tij, që do të konsiderohen të fundit deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Nga ana e tij, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, e ka lënë të hapur mundësinë për një ripërfshirje në qeveri. I pyetur disa herë për këtë çështje, Meta ka shmangur përgjigjen direkte, duke theksuar se imediate për këtë parti mbetet riorganizimi i saj. Një etapë kjo jo aq e rëndësishme në fakt sesa vetë sheshimi i debateve, që kanë lindur brenda kësaj partie për llokmat që secili prej klaneve kërkon të përfitojë në qeveri në emër të katër votave “të arta” që ata kanë në Kuvend.

N.P

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›