E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, Gjinushi: Nuk është problem sistemi, por Berisha

TIRANË Për kryetarin e PSD-së, Skënder Gjinushi, prioritare nuk është ndryshimi i sistemit zgjedhor, siç po flitet nxitimthi nga partitë aleate të së djathtës. “Çdo lloj sistemi është aq demokratik nëse zbatohet drejt dhe zgjedhjet bëhen sipas standardeve. Defekti qëndron te shkelja e sistemeve. Ne duhet të ndryshojmë politikën, që nuk bazohet te vota e lirë. Ka nevojë për përmirësime, ndonëse si me sistemin gjerman ashtu dhe me atë spanjoll ne votat i kemi me sistemin alla-Sali. Sistemi i zgjedhjeve nuk mund të përfaqësohet nga ky sistem politik, nga kjo qeveri”,- tha Gjinushi. Kryetari i PSD-së konsideroi të parakohshme edhe diskutimet për zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm.

“Shqipëria është në krizë ekonomike e sociale dhe kriza e ka emrin ‘qeveri’. Nuk është problemi se cili do të jetë Presidenti i ardhshëm. Kjo është një taktikë për largimin e vëmendjes nga problemet kryesore. Kushdo që të zgjidhet President, me Berishën nuk mund të ketë bashkëpunim”, - tha ai. Gjinushi i mbetet gjithashtu qëndrimit se nuk mund të ketë bashkëpunim me Berishën për reformat. “Tani nuk bëhet fjalë për opozitë radikale, por për një qeveri radikale, që krahasohet me një fashizëm oriental. Opozita nuk mund të bëhet palë me të dhe të thotë se kjo vjen nga mungesa e reformave. Nëse opozita thotë se me reforma mund të ndryshojë këtë qeveri, atëherë mashtron shqiptarët dhe ndërkombëtarët”, - tha Gjinushi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›