E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harasani: Protestat e MJAFT-it i mbushte PD-ja

TIRANË Edhe pse kryetari i PS-së, Edi Rama mohoi dy ditë më parë të ketë bashkëpunuar me Berishën për të rrëzuar ish-kryeministrin Nano, një prej deputetëve socialistë, Andis Harasani sjell një tjetër memorie në faqen e tij në rrjetin social ‘Facebook’. “Nuk besoj që ka socialist (nga ata që kanë qenë para 2005-ës), që nuk e dinë se sheshet e Shqipërisë në çdo lëvizje e protestë të ish-MJAFT-it i mbushte PD-ja. Do të ishte e pamoralshme të harrohej kjo”, - shkruan Harasani. Deputeti i PS-së sqaron më tej: “Sigurisht që i dimë restorantet, kafet, e shumë të tjera. Ka disa ministra të PD-së sot që punonin ngushtë me MJAFT-in e atëhershëm. Do ua kërkoj publikisht të dalin e të flasin”. Dy ditë më parë, gjatë një takimi me të rinjtë në Durrës, Berisha u shpreh për Ramën: “Të harrojmë gjithçka shkruan për Sali Berishën, dakord është armiku i jashtëm, por një njeri që e mori nga Parisi, e bëri ministër, e kandidoi për kryetar bashkie dhe kryetar e bëri PS-ja. Në fund, ai punoi së bashku me mua për rrëzimin e tij, se ato sheshet e MJAFT-it i mbushte PD-ja”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›