E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harasani: Refuzoj ofertën e Ramës, kam plane të tjera në politikë

Deputeti i PS-së: “Nuk kemi as unë as Rama nevojë për të kontribuar në poste në fushat ku kemi kontribuuar për shumë vite. Qëllimi im dhe qëllimi i gjithë Partisë Socialiste, me përjashtim të disa figurave, është largimi i kësaj qeverie një orë e më parë dhe nuk ka nevojë për poste apo për ndarje karamelesh për të bërë këtë luftë opozitare”

TIRANË Një ditë pas Asamblesë Kombëtare, ku pritshmëria e tij për të marrë një detyrë të rëndësishme në Partinë Socialiste u zbeh që pas fjalës së kryetarit të opozitës, Edi Rama, Andis Harasani ka paralajmëruar një lëvizje të re politike. Ndryshe nga ç’mund të mendohet, gjasat janë për një lëvizje brenda së majtës, me qëllimin e vetëm largimin e kryeministrit Sali Berisha. Të paktën këtë ka lënë të kuptojë në një intervistë për “TCH’ si dhe në rrjetin social Facebook, duke u shprehur se tanimë ai ka plane të tjera në politikë. Për pasojë, Harasani nuk ka pranuar as ofertën e kryetarit të PS-së, Edi Rama, i cili dy ditë më parë e propozoi për të drejtuar një nga grupet e punës për programin, konkretisht në fushën e energjisë. "Të mendosh që unë duhet të kem një post për të ndihmuar Partinë Socialiste për energjinë, është njësoj si t'i ofrohet Edi Ramës për të ndihmuar në zhvillimin e qyteteve, në një kohë që ka 11 vjet eksperience si kryetar i një qyteti. Nuk kemi as unë as Rama nevojë për të kontribuar në poste në fushat ku kemi kontribuuar për shumë vite. Qëllimi im dhe qëllimi i gjithë Partisë Socialiste, me përjashtim të disa figurave, është largimi i kësaj qeverie një orë e më parë dhe nuk ka nevojë për poste apo për ndarje karamelesh për të bërë këtë luftë opozitare",- tha Harasani. Qëndrimi i Harasanit ishte i pritshëm, nisur edhe nga deklarata e tij e shkurtër në rrjetin social Facebook, menjëherë pas asamblesë, ku propozimet e Ramës për strukturat e reja të PS-së, ai i ironizonte shkurt: “Karamele për të gjithë”. Edhe pse është i qartë për atë çka ndodhi në Asamblenë Kombëtare të PS-së, Harasani nuk bën koment për një tjetër qëndrim, të shprehur po në Facebook, se ai tanimë ka plane të tjera. “Është ende herët për të folur për to. Jemi një grup, që po punojmë seriozisht. Por të gjitha planet konvergojnë në largimin e kësaj qeverie nga pushteti dhe ardhjen e të majtës së vërtetë në pushtet”,- tha ai. I pyetur nëse këto plane do të realizohen brenda PS-së, Harasani la të hapur çdo mundësi. “Çdo opsion është i hapur në politikë. Kemi kohë, do e shikojmë”, shtoi ai. Harasani shprehu pakënaqësinë edhe për mospërfshirjen në kryesi të një tjetër figure në PS prej vitesh, Kastriot Islami."Përsa kohë nuk ka pasur votim në zgjedhjen e kryetarit, në zgjedhjen e delegatëve, të gjithë e dimë se ç'ka ndodhur me zgjedhjen e tyre; përsa kohë askush nuk di votat e anëtarëve të Asamblesë, nuk më duket i arsyeshëm largimi i disave dhe afrimi i disave. Nuk e kuptoj pse duhet të ndodhë? Nuk e kuptoj pse duhet të largohet Islami dhe të mbahen figura të tjera që kanë qenë po aq kritikë ose më kritikë se Islami", - tha Harasani.

N.P

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›