Vetëvritet 15-vjeçarja, mister arsyet
Një 15-vjeçare nga qyteti i Krujës i ka dhënë fund jetës duke u vetëhelmuar. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Krujës, adoleshentja B.P. është gjetur në dhomën e saj të gjumit në gjendje kome nga ana e familjarëve të saj. Vajza sapo ishte kthyer nga shkolla ku mësonte në banesën e saj. Ajo ishte futur në dhomën e gjumit dhe ka vonuar të dilte që andej, bëjnë me dije burime pranë policisë së Krujës, të cilat i referohen dëshmive të marra për ngjarjen. Pasi vajza nuk ka dalë nga dhoma, familjarët kanë hyrë me dhunë në dhomën e saj, duke e gjetur në grahmat e fundit të jetës. Menjëherë familjarët e kanë dërguar në spitalin e Krujës e prej andej me urgjencë në Spitalin Ushtarak, por mjekët e këtij spitali nuk kanë mundur ta mbajnë në jetë atë, pasi gjendja shëndetësore ishte mjaft e rënduar. Pas ekspertizës mjeko-ligjore, në Spitalin Ushtarak mjekët e këtij spital janë shprehur se 15-vjeçarja ka përdorur fostoksinë.