E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harbuzit i prishen planet

Pas një sezoni të pëlqyer që tregoi në debutimin e tij me Gençlerbirligin, ku u ra në sy edhe disa klubeve të mëdha, ndër të tjera edhe gjigantit turk, Galatasaray, planet e mesfushorit kosovar për ta ndërruar mjedisin gjatë kësaj vere u prishën, pasi ai pësoi një lëndim në këmbë. Ai do të mbetet disa javë jashtë fushës, pas intervenimit kirurgjik, por ende nuk i ka humbur shpresat për t’iu bashkuar Galatasarayt gjatë kësaj vere.

“Lëndimi i ka frenuar paksa gjërat, sepse, edhe pse ishte pothuajse e qartë për këtë lëvizje timen, sigurisht nuk do ta kaloja vizitën mjekësore. Por, është një shenjë e mirë që intervenimi kirurgjik ka ndodhur kështu shpejt, pasi që afati kalimtar i verës është i hapur deri me 31 gusht”, ka thënë të dielën Harbuzi për ueb faqen suedeze, skanskan.se.

Natyrisht, ky lëndim do t’ia pamundësojë 24-vjeçarit që ta kryejë fazën përgatitore në Austri me Gençlerbirligin, por ai beson se do ta zërë hapin, porsa të kthehet në fushën e blertë.

“Kisha një intervenim kirurgjik një javë më parë. Kisha probleme me lëvizjen e tërësishme të këmbës dhe mjekët menduan që të më operonin menjëherë”, tha futbollisti me pasaportë suedeze.

Mesfushori ofanziv pritet të rikthehet në fushën e blertë në periudhën prej gjashtë deri në 12 javë. “Është e qartë se jam i mërzitur. Jo pse do më mungojë periudha parasezonale, por që do të mungoj në ndeshjet e para të sezonit, pasi më duhet të përgatitem një kohë”, vazhdoi futbollisti nga Prishtina.

Gençlerbirligi e përfundoi sezonin e fundit në pozitën e dhjetë, ndërsa Harbuzi e shënoi një gol mjaft të rëndësishëm ndaj Galatasarayt (2-1). “Kam fituar shumë besim nga ai gol”, tha në fund Harbuzi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›