E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rasti i humbur në Afrikë

Udhëheqësit e futbollit kosovar e kanë humbur një rast të mirë për të lobuar rreth anëtarësimit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në FIFA dhe UEFA.

Në fakt, prej 11 qershorit deri më 11 korrik në Afrikën e Jugut u mbajt Kampionati botëror. Në këtë eveniment ishte e përqendruar e gjithë bota. Gjatë një muaji, në kontinentin jugafrikan qëndruan udhëheqësit më të lartë të FIFA-s, UEFA-s, drejtues të federatave të futbollit të shteteve të ndryshme, por edhe shumë njerëz të tjerë që kanë ndikim në futbollin botëror.

Mirëpo, drejt Afrikës së Jugut nuk udhëtuan fare drejtuesit e futbollit kosovar, të cilët do të mund të takoheshin me shumë njerëz me ndikim në futbollin botëror, te të cilët pala kosovare do të mund të kërkonte ndihmë rreth anëtarësimit të FFK-së në FIFA e UEFA.

Këtë që nuk e bëri FFK-ja, dikur e kishin bërë drejtuesit e Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK), përkatësisht pak para se të ndërkombëtarizohej hendbolli kosovar.

Sekretari i FHK-së, Izet Gjinovci kujton se ai me kolegët e tij kishin lobuar shumë në një kampionat botëror të hendbollit dhe në një tjetër evropian, por edhe në mënyra të tjera. Ai thotë se ato lobime dhanë fryte, sepse më pas FHK-ja u ndërkombëtarizua.

“Ne patëm lobuar fillimisht nëpër federatat e disa shteteve veç e veç, por edhe nëpër kongrese. Më pas shkuam në një kampionat botëror dhe në një tjetër evropian. Në ato kampionate kishte shumë njerëz me ndikim të madh në hendbollin botëror. Takoheshim me ta dhe kërkonim ndihmë prej tyre”, tregoi Gjinovci për Express.

“Lobonim aq shumë saqë nuk kishim kohë as për t’u ushqyer si duhet. Mirëpo, në fund mundi ynë u shpagua, sepse hendbolli ynë u ndërkombëtarizua. Një rol shumë të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e hendbollit kosovar, pa kurrfarë dyshimi e ka luajtur lobimi ynë në ato dy kampionate. Ai lobim na ka ndihmuar shumë”, shtoi Gjinovci.

Andaj, duke u bazuar në përvojën e tij, Gjinovci thotë se edhe drejtuesit e futbollit kosovar kanë mundur të lobojnë në Afrikën e Jugut. Sikurse ta bënin një gjë të tillë udhëheqësit e futbollit kosovar, sipas Gjinovcit, do të shkurtohej bukur shumë rruga drejt anëtarësimit të FFK-së në FIFA dhe UEFA.

“Unë nuk dyshoj në përpjekjet e drejtuesve të FFK-së për ndërkombëtarizim. Por, sikur të ishin në Botëror, ata do të lobonin edhe më tepër dhe ai lobim do t’u ndihmonte shumë më shumë. Aty do të bënin edhe miq të rinj, përveç atyre që i kanë aktualisht. Ata njerëz kanë ndikim dhe pasi ata do të miqësoheshin me kosovarët, do të mund të ndihmonin”, theksoi Gjinovci.

Në anën tjetër, sekretari i FFK-së, Eroll Salihu pohoi se ai me kolegët e tij kishin planifikuar të shkonin në Afrikën e Jugut, por dështuan për shkak se nuk kishin mundur të pajisen me viza.

Megjithatë, Salihu thotë se nuk është lobimi, faktori kryesor që do të mund ta ndërkombëtarizonte FFK-në. Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në FIFA tani mbetet vetëm çështje ligjore, duke pohuar se duhet ecur hap pas hapi deri në arritjen e synimit.

“Pikë së pari, kemi hasur në probleme për t’u pajisur me viza, për të udhëtuar drejt Afrikës së Jugut. Megjithatë, ne i kemi pasur atje përfaqësuesit, apo ndryshe miqtë tanë nga federatat e shteteve të tjera”, tha Salihu për Express.

“Çështja e anëtarësimit të FFK-së në FIFA më nuk ka të bëjë me çështjen e lobimit, por ka të bëjë me çështje ligjore. Tashmë hapi i parë drejt inkuadrimit në FIFA është bërë, pasi FIFA aprovoi kërkesën tonë për transferim të futbollistëve kosovarë jashtë vendit. Me këtë veprim, FIFA tërthorazi veç e ka njohur Kosovën dhe tani duhet shkuar hap pas hapi, deri në pranimin tonë të plotë”, theksoi ai.

Salihu potencoi se pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) të dalë me një mendim këshillëdhënës rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, situata do të ndryshojë pozitivisht edhe rreth anëtarësimit të FFK-së në FIFA e UEFA.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›