Harmonia fetare në Shqipëri, model për Ballkanin
Harmonia fetare që ka ekzistuar prej vitesh në vendin tonë do të shërbejë si një model i mirë referimi për vendet e tjera të Ballkanit, si mënyra e vetme për një të ardhme më të mirë. Universiteti i Tiranës, Universiteti Fatih në Stamboll/Turqi dhe Qendra e Dialogut “Prizmi”, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë, do të organizojnë në datat 25-26 mars 2011 simpoziumin ndërkombëtar me temë: “Këndvështrim i diversitetit fetar, kulturor dhe shoqëror në Ballkan nga perspektiva globale: Përvoja e Fethullah Gylenit si Model dhe Harmonia Ndërfetare në Shqipëri”. Ky simpozium do të përqendrohet në modelin e harmonisë ndërfetare në Shqipëri si vlerë e veçantë e popullit shqiptar, në rëndësinë e dialogut ndërfetar, ndëretnik dhe ndërkulturor në rajonin e Ballkanit si mënyra e vetme për një të ardhme më të mirë, si dhe në opinionet dhe perspektivat e mendimtarit dhe teologut të shquar turk Fethullah Gylen, autor i mirënjohur ndërkombëtarisht dhe aktivist në çështjet e arsimit, me një kontribut të çmuar në dialogun ndërfetar dhe ndërkulturor si faktor për arritjen e paqes globale, pranimin e të tjerëve si kontribut themelor për bashkekzistencën njerëzore, edukimin e vlerave si dhe përballimin e sfidave që rrjedhin nga globalizimi. Rreth 36 akademikë të mirënjohur nga 18 shtete të ndryshme, nga vendi dhe rajoni, do të referojnë gjatë punimeve të simpoziumit në lidhje me temat e mësipërme. Në këtë aktivitet do të marrin pjesë kryeministri Sali Berisha; ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj; ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferaj; përfaqësitë diplomatike të akredituara në Tiranë, përfaqësuesit e komuniteteve fetare në Shqipëri etj.