E Diel, 1 Nëntor 2026

Universitetet, Kaçani: Akreditimi nga e njëjta agjenci

Standardet shtetërore të përcaktuara nga Ministria e Arsimit për vlerësimin e cilësisë së universiteteve publike dhe private, proces që do të pasohet me akreditimin e tyre, kanë mbërritur në institucionet e arsimit të lartë. Pjesa më e madhe e drejtuesve të këtyre institucioneve i vlerësojnë rregullat e vendosura nga MASH, pasi do t’i jepet fund vlerësimit jo të drejtë që është bërë në vitet e kaluara. Pikërisht për këtë ka reaguar dje edhe rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Jorgaq Kaçani, i cili propozon që akreditimi të bëhet nga e njëjta agjenci, për të gjitha universitetet. “Fakti pozitiv është ky, që të gjitha institucionet publike të arsimit të lartë dhe private, tani kanë një bazë ligjore, mbi bazën e së cilës do të bëhet vlerësimi i jashtëm i cilësisë. Do të ishte mirë që Agjencia e Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë, qoftë publik, qoftë privat të ishte e njëjta agjenci dhe për mendimin tim do të ishte mirë që të ishte një agjenci e huaj, e cila do të ishte më realiste”, - pohon Jorgaq Kaçani. Por një tjetër problem që ngrihet nga universitetet publike, është se të gjitha universitetet, përpara se të hyjnë në këtë garë, duhet të përfundojnë akreditimin e brendshëm, proces ky që ende nuk ka filluar në shumë universitete publike dhe private. “Problemi është ky, që përpara se të bëhet vlerësimi i jashtëm i cilësisë, atëherë vetë institucioni, qoftë publik, qoftë dhe privat duhet të ketë ngritur qendrën e vlerësimit të brendshëm të cilësisë, që është një detyrim ligjor në bazë të vlerësimit të cilësisë në arsimin e lartë, që është neni 59 i Ligjit të Arsimit të Lartë”, - deklaron rektori i Politeknikut. Përsa i përket procesit të akreditimit për Universitetin Politeknik, Kaçani thotë se ai do të fillojë brenda këtij viti, ndërkohë që ka përfunduar vlerësimi i brendshëm.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›