E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi dhe identifikimi i personave të siguruar

SHKRUAN: Jonida Tashi 29-03-2011 13:11

Të gjithë personat e siguruar nga shteti dhe vullnetarisht janë të detyruar të regjistrohen te

Fondi. Punëdhënësit janë përgjegjës për regjistrimin te Fondi të punëmarrësve të tyre dhe për informimin e Fondit, për: numrin e personave që kanë siguruar; emrat e personave të siguruar dhe numrin e sigurimit; pagat e personave të siguruar; masën e kontributit të personave të siguruar; periudhën e punësimit. Të gjithë personat e regjistruar kanë një numër të sigurimit shëndetësor të detyrueshëm dhe një dokument që vërteton regjistrimin e tyre në Fond e që identifikon personin e siguruar. Personat, subjekt i sigurimit shëndetësor të detyrueshëm, regjistrohen në Fond brenda 30 ditëve nga data që bëhen subjekt i detyrimit për të paguar kontribute. Ndryshimet në statusin e personave të siguruar regjistrohen dhe evidentohen nga Fondi, ndërsa Këshilli i Ministrave përcakton institucionet publike përgjegjëse dhe periudhën gjatë së cilës kanë detyrim për të informuar Fondin për numrin dhe identitetin e personave, sipas kategorive të përmendura në nenin 5 të këtij ligji. Këshilli i Ministrave vendos rregullat për regjistrimin dhe identifikimin e të siguruarve dhe mënyrën e paraqitjes së informacionit. Identifikimi i personave të siguruar do të bëhet nëpërmjet dokumentit të identifikimit të sigurimit. I gjithë informacioni për shëndetin e një personi të siguruar, i mbledhur dhe i transferuar në Fond, është konfidencial. Fondi administron informacionin e krijuar sipas këtij ligji, në përputhje me rregullat e parashikuara në legjislacionin në fuqi, veçanërisht legjislacioni për mbrojtjen e të dhënave personale. Derisa Fondi të vendosë regjistrimin, të gjithë personat e siguruar me anë të Institutit të Sigurimeve Shoqërore janë automatikisht të regjistruar te Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe janë të detyruar për të paguar kontributet për sigurimin shëndetësor të detyrueshëm. Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të transferojë kontributet e sigurimit të detyruar shëndetësor te Fondi nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për të gjithë personat e regjistruar te sigurimet shoqërore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›