E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punësimi sezonal në Itali

SHKRUAN: Jonida Tashi 29-03-2011 13:14

Ndarja e 60 mijë kuotave për çdo krahinë

Një javë pas nisjes së kërkesave për punësimin sezonal në Itali, Ministria Italiane e Punës nxjerr shpërndarjen e 60 mijë kuotave sipas krahinave. Kush është tashmë në Itali, arrin të përfitojë nga dekreti i flukseve sezonale, pavarësisht vendit të origjinës.

Sipas kushteve të vendosura nga autoritetet italiane, këtë vit punonjësit sezonalë mund të vijnë nga këto vende: Shqipëri, Mali i Zi, Kosovë, Bosnja-Hercegovina, Maqedoni, Kroaci, Serbi, Indi, Pakistan, Bangladesh, Sri-Lankë, Ukrainë, Tunizi, Marok, Moldavi, Egjipt, Nigeri, Niger, Gambia, Gana, Filipine. Sipas ndarjes së kuotave për punësimin sezonal, më shumë kërkesa për punë ka paraqitur krahina e Venetos, 7400 të tilla, pasuar nga Emilia Romagna, 7150 dhe Kampanja, 5900. Në mëngjesin e datës 22 mars

nisi zyrtarisht gara për punësimin e 60 mijë punonjësve sezonalë, të domosdoshëm kryesisht në sektorët e turizmit dhe bujqësisë për periudha të caktuara. Dërgesat do të mund të bëhen deri më 31 dhjetor 2011, por një risi e rëndësishme që i dallon këto flukse nga të mëparshmit është se për punonjësit sezonalë nga këto vende që kanë qenë për të paktën dy vjet rresht në Itali, punëdhënësit mund të kërkojnë një autorizim shumëvjeçar. Në këtë mënyrë, vitin e ardhshëm, këta punonjës sezonalë do të mund të shkojnë në Itali duke mos kaluar më mes flukseve. Në të vërtetë për flukset e sezonaleve nuk ka qenë asnjëherë e nevojshme të nxitohesh, pasi hyrjet e autorizuara nga qeveria italiane janë zakonisht të mjaftueshme për të kënaqur të gjitha kërkesat e paraqitura. Por, gjithsesi, ndërmarrjet bujqësore, hotelet dhe restorantet duhet të mbajnë mirë parasysh që, edhe në rastin më të mirë, do të kalojë të paktën një muaj nga paraqitja e kërkesës deri në çastin kur punonjësi do të vijë në Itali, ndaj për të mirën e punës së tyre u leverdis të nxitojnë.

Kërkesat e punësimit do të shqyrtohen sipas datës së fillimit të marrëdhënies së punës, me qëllim që të arrihet ardhja e punonjësve në kohën e duhur për “sezonin” kur nevojiten, por edhe për të kontrolluar me rigorozitet kërkesat në mënyrë që të mos kalojnë kërkesa të rreme, që nuk janë tjetër veçse rrugëzgjidhje për legalizimin e të afërmve apo më keq akoma të paguara shtrenjtë nga të interesuarit e personave të paskrupuj. Në veçanti do të verifikohet që punëdhënësit të mos kenë kërkuar në të shkuarën punonjës sezonalë që më pas nuk kanë pranuar të punësojnë. Për më tepër, punëdhënësve do t’u duhet të shoqërojnë punonjësin në Sportelin Unik për të nënshkruar kontratën e qëndrimit dhe për të komunikuar marrëdhënien e punës. Nëse, për motive të justifikuara, nuk do të duan të punësojnë punonjësin, do t’i jepet mundësia një tjetër punëdhënësi të punësojë punonjësin me të njëjtat kushte kontrate. Sa për vlerësimin e të ardhurave të sipërmarrësve në bujqësi, nuk do të merret parasysh vetëm fitimi agrar, zakonisht i pamjaftueshëm, por në llogaritje do të futen edhe deklaratat IVA, Irap dhe kontribute komunitare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›