Të rinjtë, shumë pak besim te politika
Më shumë se gjysma e të rinjve nuk ndihen pjesë e hartimit të politikave të pushtetit vendor dhe 33.4% e tyre do të largoheshin nga Shqipëria nëse do të siguronin një vend pune në Bashkimin Europian
Pjesa më e madhe të rinjve në vendin tonë jo vetëm që kanë shumë pak besim te politika, por nuk e ndiejnë veten as pjesë të fushatës apo të programeve politike të pushtetit vendor. Kështu, ndërsa na ndajnë vetëm pak javë nga zgjedhjet lokale të 8 Majit, 66.7% e të rinjve ndihen aspak pjesëmarrës në hartimin e politikave publike të pushtetit vendor dhe për këtë arsye, 34.4% e tyre shprehen se do të largoheshin nga vendi nëse do siguronin një punë në Bashkimin Europian. Këto rezultate janë publikuar dje nga Instituti Eunacal dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë/Soros, në kuadër të nismës Ligjërimi Politik 2.0, të cilët kanë organizuan një takim të hapur me fokus “Përdorimin e Facebook, Twitter, YouTube dhe blogjeve për ligjërim politik mes të rinjve dhe kandidatëve për bashki e komuna, në fushatën për zgjedhje vendore Maj 2011”. Në takim u prezantuan rezultatet e sondazhit të zhvilluar nga Instituti EUNACAL më 12-18 tetor 2010, me 2267 të intervistuar në të gjithë vendin. Sipas sondazhit, një pjesë e madhe e të rinjve janë skeptikë dhe thonë se imazhi i rinisë shfrytëzohet vetëm për fushatë. “Fatkeqësisht rinia po përdoret, sidomos në zgjedhje. Përdoret ai grupi që duhet në fushatë, ndërsa pas zgjedhjeve gjithçka mbetet ashtu siç është”, - ka deklaruar një aktiviste. Duke e ndjerë veten larg politikës, sipas sondazhit, 43% e të rinjve përdorin Social Media për të marrë informacione mbi politikën, ndërkohë që 46.3% e të rinjve që përdorin internetin shprehen se do ndiheshin më pjesëmarrës nëse politikanët/politikbërësit do komunikonin me ta përmes YouTube, Facebook, Twitter & Blogjeve. “Për të diskutuar me politikanët online, 2.4%. Ajo që ne shohim dhe synojmë është që kjo shifër të mund të rritet të paktën gjatë fushatës. Vetëm 12% e të rinjve mendojnë se politikanët do ta marrin parasysh opinionin e tyre, shifër që tregon mosbesimin ndaj politikanëve shqiptarë”, - deklaron Alban Nelaj, i Eunacal Institute. Për më tepër, sonazhdi i Eunacal Institute ka evidentuar se mbi 70% e të rinjve nuk lexojnë gazeta dhe informacionin e marrin në rrugë elektronike. Kjo ka bërë që të rinjtë të largohen nga librat, gazetat dhe të kalojnë një kohë të gjatë në internet dhe kryesisht në FB e YouTube. Duke qenë se këto shifra dalin në prag të zgjedhjeve lokale, ato janë një mesazh i mirë që politikanët t’i kthejnë sytë nga brezi i ri, jo vetëm për të marrë më shumë vota, por edhe për t’i bërë ata pjesë të politikës që nuk është vetëm pronë e tyre, por e të gjithë shqiptarëve. Në këto kushte, gjatë takimit të djeshëm janë dhënë edhe dy rekomandime, për kandidatët për bashki e komuna dhe për partitë politike garuese në zgjedhjet vendore 2011, që janë: kandidatët për bashki e komuna duhet të venë në përdorim Facebook, YouTube, Twitter & Blogjet për të komunikuar drejtpërdrejt me të rinjtë e qyteteve/komunave ku kandidojnë; partitë politike duhet të aftësojnë dhe asistojnë kandidatët e tyre në përdorimin e Facebook, YouTube, Twitter & Blogjeve gjatë fushatës zgjedhore.
Vetëm 12% e të rinjve mendojnë se politikanët do ta marrin parasysh opinionin e tyre, shifër që tregon mosbesimin ndaj politikanëve shqiptarë
Konkluzionet kyçe të sondazhit
66.7% e të rinjve ndihen aspak pjesëmarrës në hartimin e politikave publike të pushtetit vendor.
34.4% e të rinjve shqiptarë shprehen se do të largoheshin nga vendi nëse do siguronin një punë në BE.
43% e të rinjve përdorin Social Media për të marrë informacione mbi politikën.
27% e të rinjve shpenzojnë çdo ditë më shumë se 2 orë në Facebook, YouTube, Twitter & Blogje.
46.3% e të rinjve që përdorin internetin shprehen se do ndiheshin më pjesëmarrës nëse politikanët/politikbërësit do komunikonin me ta përmes YouTube, Facebook, Twitter & Blogjeve.
Rekomandimet e dhëna
Kandidatët për bashki e komuna duhet të venë në përdorim Facebook, YouTube, Twitter & Blogjet për të komunikuar drejtpërdrejt me të rinjtë e qyteteve/komunave ku kandidojnë.
Partitë politike duhet të aftësojnë dhe asistojnë kandidatët e tyre në përdorimin e Facebook, YouTube, Twitter & Blogjeve gjatë fushatës zgjedhore.