E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harri Lena “pushton” tokat dhe Ujin e Ftohtë të Këlcyrës

Në krah të një kishe të sapongritur në Grykën e Këlcyrës, në nderim të ushtarëve grekë të vrarë gjatë Luftës italo- greke në Shqipëri, biznesmeni Harri Lena po ndërton thuajse ilegalisht një fabrikë uji mbi tokat e familjes Këlcyra, të cilat po vazhdojnë të ndahen përmes ligjit 7501 deri para pak ditësh, për t’u blerë pastaj prej këtij biznesmeni. Disa muaj më parë, kur ky biznesmen kishte projektuar ndërtimin e kësaj fabrike uji mbi atë që quhet “Mulliri i Beut” dhe që i përket familjes së Hëna Këlcyrës, trashëgimtares së fundit të Oxhakut të Këlcyrës, dhjetëra fshatarë të Këlcyrës u ankuan pranë kryeministrit, Sali Berisha, ndërkohë që ky i fundit po përuronte segmentin e rrugës Kardhiq-Sarandë. Kryeministri i qetësoi, se biznesmeni nuk ka lidhje me të, edhe pse, sipas fshatarëve, ai kishte përmendur emrin e tij. Sipas kryeministrit, ai kishte dijeni se aty do të ndërtohej një kompleks turistik dhe iu bëri thirrje fshatarëve të mos e pengonin atë. Pas kësaj fshatarët u kthyen dhe përmes tapive të reja që u plotësuan me urgjencë në adresë të tyre me porosi të kryeministrit ata e blenë dhe shitën tokën brenda muajit te biznesmeni Harri Lena. E vërteta doli zbuluar shumë shpejt. Biznesmeni nuk kishte ndërmend të ndërtonte ndonjë fshat turistik, por të përvetësonte, duke bërë fakt të kryer burimin e famshëm të Grykës së Këlcyrës që rridhte mes tokës së fshatarëve. I lidhur ngushtë me Kishën Ortodokse në Tiranë, biznesmeni Harri Lena njihet për raportet e tij personale me kryepeshkopin Janullatos. Ky i fundit i ka pagëzuar biznesin e BMW në Tiranë, kur e ka inauguruar dhe vetë e konsideron koncesionaren e BMW si filial të BMW në Greqi. Me sa duket, nën financime të porositura për t’u blerë në të ardhmen nga dikush tjetër, ky biznesmen po përfiton me çmime qesharake tokë, e cila iu falet fshatarëve me urgjencë përmes ligjit 7501. Punimet kanë nisur, edhe pse në rrugë nuk ka asnjë tabelë që të dëshmojë për lejen e ndërtimit. Siç shihet nga fotografitë e mëposhtme, asnjë shenjë nuk dëshmon se kemi të bëjmë me një kompani të rregullt që ka marrë një leje ndërtimi për këtë që bën. Nuk mjafton grabitja e tokës dhe ujit, por ky biznesmen kërkon të bëjë çdo gjë pa asnjë shpenzim. Disa ditë më parë ai ka shkelur mbi tokat e një fshati fqinj dhe ka filluar të gërryejë në tokat e tyre për të marrë lëndë inerte pa licencë dhe pa paguar asgjë. Kryetari i Bashkisë së Këlcyrës, i cili e ka në territor të vet këtë ndërtim, nuk ka kompetenca për lejen e ndërtimit, pasi ajo i takon qarkut të Gjirokastrës. Biznesmeni Harri Lena, sa herë që pyetet për këtë çështje, ka një përgjigje: “Po ma ka dhënë lejen Sali Berisha, mo pasha. Isha tek ai dhe dje, kur isha në Tiranë, më pyeti si po shkon puna dhe më tha të vazhdoj”. Këtë përgjigje, e cila është spekulative, ai e përsërit, sa herë ndonjë polic ndërtimor apo zyrtar i varfër i kërkon ndonjë copë letër për atë që po bën. Inspektorati i Ndërtimit nuk ka ndërmarrë asnjë verifikim për këtë spekulim, ndërsa qarku dhe komunat përreth dhe për shkak të varfërisë së tyre, janë nën presionin e këtij biznesmeni, i cili gjysmën e ditës paraqitet si i dërguari i Berishës, gjysmën tjetër si i dërguar i Kishës dhe në fakt ndërton mbi toka pronarësh, të cilët po shpronësohen në mënyrë mafioze në vitin 2008 prej ligjit 7501. Uji i Grykës së Këlcyrës është një pasuri kombëtare dhe ai mund të dalë në ankand për t’u dhënë me koncesion. Ai nuk mund t’i jepet në mënyrë mafioze një biznesmeni, i cili, përveçse spekulon me emrin e kryeministrit, po shpronëson familjet e mëdha shqiptare në vitin 2008, gjë të cilën për hir të së vërtetës nuk e kanë bërë dot as viktimat e

Luftës italo- greke që në vitin 1914 dhe më pas në vitin 1940 në atë grykë. Trashëgimtarja e familjes Këlcyra, Hëna Këlcyra, e indinjuar për këtë gjest, shkoi pranë tokës së saj, por nuk kishte ku të ankohej, pasi biznesmeni në çdo rast përmend emrin e Sali Berishës dhe porositë e tij. Prokuroria duhet të nisë hetimet për këtë investim dhe për mënyrën sesi ky biznesmen po bëhet pronar tokash dhe po përvetëson një pasuri natyrore siç është Uji i Ftohtë i Këlcyrës për biznes privat, pa iu nënshtruar një gare, ku të parët që duhet të kenë të drejtën janë ish-pronarët e tokës dhe pastaj gjithë biznesmenët e tjerë shqiptarë.

Është e turpshme që pasuritë e Oxhakut të Këlcyrës, sarajet e të cilëve janë djegur nga ushtarët grekë në vitin 1914, të trajtohen tani si shtojca të biznesit të një biznesmeni, i cili po spekulon me pushtetin dhe pasuritë e qytetarëve shqiptarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›