E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ rrëzon kërkesën për referendum të Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e rrëzoi dje kërkesën e Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës për thirrjen e referendumit për të shfuqizuar disa nene të ndryshuara në Kushtetutë, të miratuara nga Kuvendi më 21 prill. Rrëzimi i kërkesës nga ana e KQZ do të pasohet nga KMK me një ankimim në Gjykatën Kushtetuese, pasi krerët e këtij komiteti pretendojnë se vendimi i KQZ nuk bazohet në Kushtetutë.

Vendimi për rrëzimin e kërkesës së KMK u mor dje nga shumica e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Tetë anëtarët e këtij komisioni votuan për rrëzimin e kërkesës për referendum, ndërsa i vetmi që ishte kundër shumicës, ishte anëtari i LSI në këtë komision, Genti Shala. Tetë anëtarët e tjerë të KQZ u shprehën në të njëjtën logjikë dhe me të njëjtat argumente ligjore. Ata deklaruan se kjo kërkesë është jashtë kompetencave dhe juridiksionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke theksuar se kërkesa e KMK ka për qëllim zhvillimin e një referendumi për të shfuqizuar tri nene të ligjit 9904, i cili ka në përmbajtje të vet ndryshime kushtetuese. Si e tillë, sipas anëtarëve të KQZ, karakteri i këtij referendumi është kushtetues dhe Kodi Zgjedhor e parashikon qartë, se për zhvillimin e një referendumi kushtetues procedurat nuk nisin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por nga Kuvendi. Kryetari i KQZ, Çlirim Gjata, tha se ky institucion ka marrë në dorë një kërkesë, ku kërkohet referendum për amendamentet kushtetuese, të cilat ndërkohë kanë hyrë në fuqi që në datën 22 maj.

“Ne kemi një procedurë të përcaktuar për rishikimin e Kushtetutës. Ne na kërkohet referendum për amendamentet kushtetuese që tashmë kanë hyrë në fuqi më 22 maj. Kemi një procedurë fillestare totalisht jashtë KQZ dhe komisioni është jashtë juridiksionit të vet”, - deklaroi Gjata.

Neni përkatës i Kushtetutës

Pika pesë e nenit 117 të Kushtetutës konsideron se referendumi për ndryshime kushtetuese mund të bëhet me firmat e një të pestës së deputetëve të Kuvendit. Ndërsa pika 2 e nenit 123 të Kodit Zgjedhor parashikon që kërkesa me 28 firma deputetësh i dorëzohet Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit brenda 15 ditëve nga miratimi i amendamentit kushtetues nga Kuvendi. Ky i fundit i dorëzon një kërkesë presidentit dhe një tjetër Gjykatës Kushtetuese. Roli i KQZ në këtë rast do të ishte vetëm organizimi nga ana teknike i referendumit, nëse Kushtetuesja pranonte kërkesën. Referendumi do të merrte vlerë, vetëm nëse do të mblidheshin 28 firma për t’u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese. Në fakt, LSI e provoi përmes kësaj mënyre, por nuk mundi të mbledhë 28 firmat e nevojshme. Pikërisht në këtë nen u mbështetën argumentet e anëtarëve të KQZ dje, për të mbërritur në vendimin e tyre për rrëzimin e kërkesës së KPMK për referndum.

Vendimi për ankimim

Drejtuesit e Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës thanë dje, se pas rrëzimit nga KQZ të kërkesës së tyre ata do ta ankimojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Këtë e deklaroi kryetari i këtij komiteti, Artur Zheji. Deputeti i LSI, Spartak Braho, tha dje për këtë çështje se KMK do të vazhojë procedurat e ligjshme deri dhe ankimim në Gjykatën Kushtetuese. “Dihej ky përfundim dhe ne do të vazhdojmë hapat ligjorë, të cilat përkojnë me ankimimin në institucione të tjera, mes të cilave edhe Gjykata Kushtetuese dhe do të vazhdojmë të gjitha veprimtaritë në kuadër të nismës që ka marrë KPMK”, - tha Braho. Ndërsa kryetari i KPMK, Zheji, u shpreh për këtë çështje, se KPMK do të ankimojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, si dhe do të vazhdojë të ndjekë të gjithë hapat ligjorë deri në mbërritjen e qëllimit të tyre, mbajtjen e referendumit për shfuqizimin e tri neneve në Kushtetutë. “Do të ndjekim të gjitha hapat e mëtejshme që parashikon ligji nga njëra anë. Dhe kuptohet, do të kemi dhe nisma të tjera edhe më radikale, për arsye sepse nuk jemi fare dakord që të shitet, të shndërrohet, të tjetërsohet e drejta e popullit për t’u shprehur. Unë iu referova, sidomos, nenit 2 të Kushtetutës, lexojeni të gjithë, ku thuhet që sovraniteti i përket popullit shqiptar. Sot u dhunua një nga momentet më të rënda dhe më të rëndësishme të sovranitetit të popullit shqiptar për t’u shprehur përmes referendumit”, - tha Zheji.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›