E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po hapet edhe një zyrë e së keqes?

YLLI DYLGJERI 

Vetëm një goditje tip West   nga ambasadori amerikan Xhon Uidhers dhe… një natë tjetër pa gjumë për kreun e qeverisë shqiptare Berisha. Me t’u gdhirë në mëngjes “polli” një strukturë të re. Tani inteligjente! Paçka se ka deklaruar dikur se do të bëjë qeveri të vogël. Zgjidhja u mor e gatshme. Këtë radhë nga Perëndimi i largët. Një vendim i ngjashëm me atë ç’ka...
 ndërmori qeveria amerikane e presidentit Xh.W.Bush fill pas ngjarjeve të 11 Shtatorit të zi, kur u akuzua nga Kongresi dhe media se: Pse nuk ka pasur njoftime për mundësinë e një atentati më 11 Shtator? Zgjidhja dhe atëherë erdhi: Duhet një “Zyrë e së Keqes”, që të punojë vazhdimisht për të shoshitur të dhënat e shërbimit të zbulimit dhe për të përfytyruar çfarë planesh ogurzezë mund të ketë një mendje perverse”. Kështu u tha asaj kohe nga specialistët në zyrat e FBI, CIA etj., etj. Bëhej fjalë për parandalimin e sulmeve dhe goditjen e terrorizmit të Osama Bin Laden dhe Al-Qaeda-n në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe më gjerë… Kaq mjafton për të kuptuar në vija të trasha se çfarë ishte “Zyra e së Keqes” në SHBA. Të më fali lexuesi po më duhej ta sillja këtë shembull për të kuptuar saktë se për çfarë zyre bëhet fjalë për t’u hapur edhe tek ne, pas ngjarjeve në… Gërdec! Qesharake. Kontrasti është i pakrahasueshëm. Përballë Amerikës së 11 shtatorit qëndronte një organizatë terroriste islamike e mirorganizuar dhe e trajnuar deri në vetëflijim e kryesuar nga Bin Laden. Përballë Shqipërisë në 15 mars në Gërdec qëndronte vetë qeveria, e patrajnuar, e kryesuar nga Sali Berisha.
Pra, shefi i qeverisë propozoi për hapjen e një Departamenti Sigurie. Dhe me këtë gjest tregoi “vullnet” dhe “angazhim serioz” përpara ndërkombëtarëve, duke iu thënë: “Një hall kemi!” Prandaj po hapim edhe ne një zyrë qendrore bashkërendimi për të menaxhuar informacionin e të gjitha shërbimeve inteligjente në parandalimin e Gërdecave tanë! Kjo zyrë u kërkua të hapet dje në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Sigurisë. Kryeministri i vendit me dhimbje, për herë të parë pohoi: “Dështuam në Gërdec!”. Duke vazhduar më tej me pohimet se: “Dështuan institucionet shtetërore, prandaj kërkohet bashkërendim i punës midis institucioneve inteligjente!”. Do rishqyrtohet ligji për Shërbimet Sekrete! T’i shtohen kompetencat SHISH-it! Ka informacion, por s’ka pasur verifikim të tyre! Do verifikohet gjithçka…!
Në optikën e derisotme, dështimi në parandalimin e ngjarjeve të Gërdecit nuk ishte dështim i shërbimeve sekrete apo atyre ushtarake. Së fundi, dokumentet e Shtabit të Përgjithshëm tregojnë se Ministria e Mbrojtjes ka pasur dijeni për pasojat e demontimit të municioneve në Gërdec. Po ashtu publiku është informuar nga organet e Prokurorisë se tragjedia në Gërdec erdhi si pasojë e një “gabimi njerëzor” apo si mungesë e masave të sigurimit teknik. Për këtë janë ngritur edhe akuzat nga prokuroria. Duhet fillimisht Mediu për ta kompletuar këtë kuadër, më tej të shohim... Me këto lajme jemi ngopur deri tashti edhe nga qeveria. Cilin version duhet të besojmë në një hark kohor 3-mujor? Edhe sikur SHISH, SHIU, SHKB apo Policia Kriminale të kishte pasur sinjale informative dhe t’i kishin shkëmbyer, jam i bindur se askush nuk do të mund t’i lidhte dhe ta përfytyronte të keqen në atë shkallë që e realizoi vetë korrupsioni shtetëror.
Të përfytyrosh një të keqe me të tilla përmasa thjesht nuk është në natyrën e shqiptarëve, dhe kjo është arsyeja pse, edhe pasi jemi përballur me të në mënyrë të përsëritur, tek e fundit kthehemi në vizionin tonë të natyrshëm dhe naiv. Shoqëria jonë po bazohet më shumë tek harresa, e cila po rrënjoset në karakterin tonë. Edhe në rastin e inicimit të këtij projekti koordinimi shërbimesh inteligjente nuk mendoj se do të na vijë më shumë siguri në vend. Në zyrat e administratës së lartë shtetërore, për sa kohë nuk kemi bërë akoma një marrëveshje politike për stabilizimin e personelit dhe administratës publike, përsëri do të ulet këmbëkryq nepotizmi dhe mediokriteti. Ligji për shërbimin civil që kemi sot në fuqi, është shpërfillur nga ndërhyrjet dhe presionet e politikës partiake. Administrata e ministrive ka ardhur nga administrata e partive politike në koalicionin qeveritar. Një marrëveshje politike dhe realizimi më pas i  projekteve civile, jo vetëm që do të na sillte më shumë siguri dhe stabilitet, por do t’i jepte ndërkombëtarëve një arsye më shumë për të na mbështetur në luftën kundër korrupsionit. Pa aleatët euroatlantikë, kurrsesi nuk mund të jemi të suksesshëm në këtë luftë, dhe kurrsesi Shqipëria nuk mund të ketë aleanca të qëndrueshme, veçanërisht me vendet evropiane, nëse nuk perceptohet si qytetare globale shembullore. Dhe rruga më e mirë për të ushqyer një perceptim të tillë do të ishte ajo e pakësimit të babëzisë sonë për të rrëmbyer dhe përvetësuar gjithçka nga prona shtetërore.
Kryeministri Berisha nuk është i vetmi përgjegjës në këtë dështim. Ai ka pasur mbështetje të plotë nga drejtuesit e tjerë të Partisë Demokratike, të cilëve njëkohësisht iu ka munguar kontrolli dhe përgjegjshmëria.
Sa keq, nuk kemi vetëm një kryeministër të papërgjegjshëm!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›