E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minerali i merr jetën minatorit të pesëmbëdhjetë

Shtetasi Xhevat Bulqiza, 55 vjeç, me banim në qytetin e Bulqizës ka humbur jetën dje pasdite, ndërsa ishte duke gërmuar për të nxjerrë mineral kromi nga grumbujt që janë mbi sipërfaqe të minierës. Lajmin e kanë konfirmuar edhe burimet zyrtare të policisë lokale, të cilat, duke dashur të japin hollësi, sqaruan se vdekja e tij ka ardhur nga që një masiv i madh minerali stok që e ka zënë poshtë vetes, teksa ai po zbriste sasinë e kromit që kishte nxjerrë gjithë ditës. Gjatë ushtrimit të aktivitetit të tij, i ndjeri Bulqiza, në mënyrë aksidentale ka prekur një sasi minerali, gjë që ka provokuar rrëshqitjen e masivit të kromit që ndodhej në atë pjesë, duke e zënë nën vete minatorin. Sipas policisë, këto janë të dhënat e para të marra në rrugë operative, menjëherë pas ndodhjes së aksidentit me fund tragjik. Të tjera të dhëna do të dalin në pah pas hetimit të mëtejshme, ndërsa kujtojmë se i ndjeri Bulqiza është minatori i pesëmbëdhjetë që humbet jetën në këtë minierë brenda një viti. Ajo që të bën përshtypje në këtë mes është fakti se, megjithëse pothuajse çdo muaj shënohet një viktimë në sinorët e minierës askush nga autoritetet shtetërore përgjegjëse nuk ndërmerr veprime konkrete për të marrë masa parandaluese. Për pasojë, grumbujt e mineralit të kromit të nxjerrë dhe të lenë stok në sipërfaqe të tokës vazhdojnë të frekuentohen nga individë që i shfrytëzojnë ato për të mbajtur gjallë familjet, por që e ushtrojnë këtë aktivitet pa patur asnjë kusht teknik të përshtatshëm. Nxjerrja e kromit nga këto stoqe bëhet për llogari të frimave të ndryshme private, të cilat i shfrytëzojnë ato shpesh të papajisura me licenca dhe duke punësuar për këtë qëllim punëtorë të pasiguruar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›