Sllovenia mbështetëse e madhe e Kosovës

Ambasadorja Ahmeti, ka shfrytëzuar këtë ligjëratë për t’i njohur studentët e kosovarë me politikën sllovene karshi Kosovës, duke thënë se marrëdhëniet ndërshtetërore, janë mjaftë të mira, e të cilat në të ardhmen do të përmirësohen edhe më shumë.
Sipas saj, ka thënë se raportet e mira mes Kosovës dhe Sllovenisë datojnë qysh nga vitet e 90-ta, kur në atë kohë, politikanët sllovenë ishin pro pavarësisë së Kosovës.
“Për Kosovën janë mjaftë të rëndësishme raportet me Slloveninë, të cilat nuk datojnë nga historia jonë e vonshme, por raportet Kosovë-Slloveni janë shumë të hershme, si ato politike, ekonomike, kulturore, demografike, etj. Jo rastësisht thuhet se në Slloveni ka nisur të flitet haptazi nga politikanët e saj në vitet e 90-ta për pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ajo.
I pyetur nga studentët për politikën aktuale sllovene në raport me Kosovën, ambasadorja Ahmeti ka deklaruar se klasa politike aktuale në Slloveni është e bashkuar dhe e angazhuar ta ndihmojë Kosovën në secilin hap që ajo e bënë drejt anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtarë, duke përmendur edhe angazhimin e përfaqësuesit evropian për Kosovën, Samuel Zhbogar.
“Nuk guxojmë as të mendojmë që ata nuk e kanë vullnetin për të na ndihmuar. Sllovenët janë treguar të afërt dhe zemërgjerë në ndihmë dhe asistencë teknike edhe me Shqipërinë, edhe me Bosnjën kur ka qenë çështja e liberalizimit të vizave. Të njëjtën na e kanë ofruar edhe neve tani kur ne kemi hyrë në procesin e liberalizimit të vizave dhe jo vetëm për këtë, por edhe për të gjitha proceset tjera, si për lobimin, ndërkombëtarizimin e Kosovës, për anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtar, për njohjen”, ka thënë ajo.
Ambasadorja e Kosovës, në këtë takim me studentët e Kolegjit Juridica, po ashtu ka theksuar se roli i Sllovenisë edhe sot është i madh në Kosovë, kur merret parasysh që ky shtet mik është mjaft i pranishëm politikisht, pjesëmarrës në KFOR, EULEX, si dhe ekonomikisht si investitori i dytë më i madh në Kosovë. /kosovapress/