E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harrojeni ekipin e ëndrrave

Valon Behrami ia ka shuar shpresat përfaqësueses së Kosovës për ndërtimin e ekipit të ëndrrave. Mesfushori kosovar insiston se ai dhe lojtarët tjerë që i përfaqësojnë vendet e huaja nuk do të vijnë për të luajtur për Kosovën. 27 vjeçari këshillon drejtuesit e futbollit kosovar të përqendrohen te lojtarët e rinj që luajnë jashtë.

Pas vendimit të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) për lejimin e zhvillimit të ndeshjeve miqësore të përfaqësueses së Kosovës, menjëherë filloi euforia rreth ekipit të ëndrrave, ku u përfshinë kryesisht futbollistët që luajnë me përfaqësueset e ndryshme evropiane.

Mirëpo, Valon Behrami, i cili e përfaqëson Zvicrën, në emër të tij, por edhe të të tjerëve, i ka shuar shpresat për ndërtimin e një përfaqësueseje eventuale ëndrrash. Ai ka thënë se Kosova duhet ta harrojë atë punë që mund t’i mbledhë yjet.

“Unë e pash ekipin e ëndrrave, por për momentin është shumë e vështirë që të vijnë për të luajtur këtu futbollistët që i mbrojnë ngjyrat e përfaqësueseve tjera. Mungon infrastruktura dhe organizimi. Derisa ekzistojnë këto kushte, nuk do të mund të vijnë lojtarët e njohur kosovarë që luajnë jashtë. Do të ishte më mirë që të përgatitemi dhe të vijnë futbollistët e rinj, që në të ardhmen mund ta përfaqësojnë Kosovën më mirë”, deklaroi Behrami në një konferencë për shtyp, të mbajtur të hënën në Prishtinë.

Sipas tij, Zvicra nuk do ta lejojë atë dhe lojtarët tjerë që e përfaqësojnë këtë vend si: Albert Bunjaku, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka, për t’iu bashkuar Kosovës.

“Nuk na lejon Zvicra të vijmë këtu. Pastaj, ky vend na ka dhënë shumë dhe na ka mbështetur kur kemi pasur nevojë. Nuk mund t’ia harrojmë këtë të mirë vendit helvetik. Mua më kanë vlerësuar gjithmonë dhe më duan shumë atje”, shtoi 27 vjeçari.

Ajo që mund të bëjë ai dhe futbollistët tjerë për Kosovën, vijon futbollisti me prejardhje nga Drenica, është që të lobojnë për vendin e tyre kudo që shkojnë dhe mos ta harrojnë asnjëherë vendin të cilit i takojnë.

Në Zvicër luajnë shumë futbollistë kosovarë dhe disa prej tyre i mbrojnë ngjyrat e ekipit U-21 të këtij shteti. Behrami udhëzon drejtuesit e futbollit kosovar që të mbështeten pikërisht te këta lojtarë, të cilët, sipas tij, do të mund ta përfaqësojnë Kosovën në të ardhmen, kur vendi ynë të jetë gati për sfidat e radhës.

Ish futbollisti i Veronës, i Lazios dhe i West Ham Unitedit mendon se në Kosovë ka talente dhe se duhet punuar shumë me ta në mënyrë që në të ardhmen ta përfaqësojnë më së miri vendin e tyre.

Ndeshja me Shqipërinë, e veçantë

Valon Behrami e pret me ndjenja të përziera duelin e Zvicrës me Kombëtaren shqiptare, i cili do të zhvillohet në kuadër të eliminatoreve për Botërorin 2014.

“Do të jetë vështirë për ne, 5-6 futbollistët që e përfaqësojmë Zvicrën. Unë nuk e kam pritur kurrë se do të vijë një ditë dhe që do të luaj kundër Shqipërisë. Do të jetë një ndeshje speciale, por ne jemi profesionistë dhe do ta japim 100 përqindëshin”, shpjegon Behrami i cili për respektin që ndien ndaj shqiptarëve, thotë se nuk do të festojë në rast se shënon ndaj Kuqezinjve.

Kritikon ata që e kontestojnë

Ndërkohë, kosovari me pasaportë zvicerane e ka shprehur mllefin e tij për futbollistët që i mbrojnë ngjyrat e Kombëtares shqiptare, të cilët jo rrallë herë i thumbojnë lojtarët që i përfaqësojnë vendet tjera.

“Janë disa lojtarë që na sulmojnë indirekt ne lojtarëve që i përfaqësojmë vendet tjera. Ata po flasin me mediat, por i këshilloj të vinë dhe të flasin direkt me mua, të më flasin në sy dhe unë do t’u tregoj atyre të vërtetën. Tek e fundit, kjo është zgjedhje imja personale”, nënvizoi Behrami.

I kënaqur në Fiorentinë

Në fund, mesfushori kosovar konfirmoi se do të mbetet në Fiorentinë, ku ndihet shumë mirë. Sezonin personal e konsideron pozitiv, kurse atë ekipor, dështues. Ai e pranon se iu ofrua mundësia të shkonte në Juventus gjatë janarit, por që nuk deshi ta linte ekipin Viola, i cili iu gjet në momentet më të vështira të karrierës.

“Unë po mendoj të mbetem në Fiorentinë, ku e kam gjetur veten. Ky ekip m’u gjet në momente të vështira. Kam raporte të mira me drejtuesit e klubit dhe me tifozët, të cilët më përkrahin në çdo moment”, thotë Behrami.

Valoni ka njoftuar se po mendon të marrë pjesë në Olimpiadë me Zvicrën, por që ende nuk është vendosur asgjë rreth kësaj pune. Behrami e përsërit faktin se ka raport të shkëlqyeshëm me ish trajnerin e tij Sinisa Mihajlovic, derisa e qortoi përsëri trajnerin e deritashëm Delio Rossi, për sjelljen ndaj bashkëlojtarit Adem Ljajic.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›