Harrojnë sobën ndezur, merr flakë shtëpia dhe asfiksohet fëmija
Kishin ndezur sobën e drurit dhe kishin dalë nga shtëpia në të cilën rrinin me qira, duke lënë dy fëmijët e mitur të vetëm në banesë. Por, për fatin e tyre të keq, shtëpia ka marrë flakë, duke marrë jetën e foshnjës 1-vjeçare dhe plagosur motrën e tij, edhe kjo vetëm 5 vjeçe. Ngjarja tragjike ka ndodhur në fshatin Lekdush të Tepelenës, në banesën e shtetasit Aleksandër Bega. Prindërit kishin dalë nga banesa, duke lënë të dy fëmijët vetëm në gjumë. Ata kishin ndezur sobën për të lënë një ambient më të ngrohtë, që ka qenë edhe shkaku i nisjes së flakëve, të cilat janë përhapur me shpejtësi në të gjithë banesën. Vajza e vogël është shpëtuar nga një i afërm, duke marrë vetëm lëndime të lehta. Ndërsa për foshnjën ka qenë e pamundur të bëhej diçka, pasi nuk e dinte kush që ndodhej në banesë. Në vendngjarje kanë shkuar zjarrfikësit dhe policia. Policia ngriti një grup pune për të hetuar shkaqet e kësaj ngjarjeje. Hetuesit konstatuan se shkak për zjarrin në banesë ka qenë soba me dru.
Ngjarja
Ditën e djeshme, Aleks Bega dhe gruaja e tij kishin dalë shpejt nga shtëpia e tyre në fshatin Lekdush të komunës Kurvelesh të rrethit Tepelenë, për të parë dy prindërit e nuses, të cilët ishin të sëmurë. Rreth orës 6:00 të mëngjesit, ata kanë ndezur sobën me dru, me qëllim që të ngrohnin dhomën, ndërsa kanë lënë fëmijët në gjumë. Por, në dhomë kanë nisur flakët, të cilat janë përhapur më pas në të gjithë shtëpinë. Rreth orës 07:00, një i afërm i tyre, që është dhe komshi, kur ka parë tymin dhe flakën që dilte nga shtëpia, ka shkuar dhe ka mundur të shpëtojë vetëm vajzën 5 vjeçe me inicialet Z. B., e cila është dëmtuar vetëm në fytyrë, por pa probleme për jetën, pasi nuk e dinte që ishte dhe djali brenda. Flakët janë shtuar edhe më dhe ka qenë e pamundur që ato të shuheshin. Në vendngjarje kanë shkuar edhe zjarrfikësit me policinë, të cilët kanë shuar më pas ato. Më pas ata kanë gjetur edhe trupin e djalit të djegur plotësisht. Sipas burimeve nga policia, banesa është e shtetasit Lefter Matohiti, por në të rrinte me qira shtetasi Aleks Bega së bashku me familjen e tij. Vajza 5-vjeçare është çuar menjëherë në spitalin e Tepelenës, ku ka marrë ndihmën e parë. Sipas mjekëve, gjendja e saj është e mirë, përveç disa djegieve të lehta në fytyrë.