Harron zëvendësministrat

Hashim Thaçi po vazhdon të jetë Kryeministër i qeverive të pakompletuara që nga tetori i vitit të kaluar, kur LDK’ja u largua nga institucionet.
Edhe pse më 22 shkurt të këtij viti Thaçi në koalicion me AKR’në mori mandatin e dytë në krye të Ekzekutivit, ai ende nuk i ka plotësuar postet e dyta në Qeveri.
Në ditën e shtatëdhjetepestë të mandatit të ri, ministrat e Qeverisë Thaçi II punojnë pa pasur asnjë zëvendësministër.
Kjo për shkak se Kryeministri Thaçi ende nuk i ka publikuar emrat e partisë së tij që duhet të hyjnë në Ekzekutiv.
Por, kjo nuk po ndodh në zyrën e Kryeministrit, ku janë emëruar gjashtë zëvendëskryeministra – Behgjet Pacolli, Hajredin Kuçi, Mimoza Kusari, Slobodan Petrovic, Bujar Bukoshi dhe Edita Tahiri.
Nënkryetari i PDK’së, Bajram Rexhepi, i cili ka mbajtur edhe postin e Kryeministrit, thotë se emërimi i zëvendësministrave është i domosdoshëm për funksionimin e Qeverisë.
“Kur pritet të emërohen zëvendësministrat, unë nuk kam të dhëna, besoj se javën e ardhshme kryhet. Kur të marrë vendim Kryeministr,i për ne janë të mirëseardhura emërimet e zëvendësministrave”, ka deklaruar Bajram Rexhepi, të shtunën, për Express.
Ai thotë se emërimi i zëvendësministrave do të ishte një lehtësi për punën e shefave të dikastereve qeveritare.
“Realisht është një ndihmesë, sepse nëse ministri shkon jashtë, me rregulla kompetencat i lihen zëvendësministrit”.
Plotësimi i posteve qeveritare është premtuar disa herë nga Kryeministri Thaçi, Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe zyrtarë të tjerë të PDK’së.
Megjithëkëtë, nga partia tjetër e koalicionit, AKR, thonë se janë duke e pritur vendimin e Kryeministrit.
“Ministritë nuk mund të punojnë me kapacitet të plotë. Duhet që sa më shpejt të kompletohet Qeveria. Tash po i mbushim tre muaj të formimit të Qeverisë dhe ende nuk e kemi të kompletuar. Roli i zëvendësministrave është bukur i mirë në funksionimin e ministrive”, ka thënë Ibrahim Makolli, udhëheqës aktual i AKR’së.
“Po besoj se Kryeministri do të marrë një vendim shumë shpejt që të kompletojë Qeverinë me zëvendësministra, në mënyrë që Ekzekutivi të punojë i kompletuar”, ka shtuar Makolli.
Në anën tjetër, zyrtarë të partive opozitare vazhdojnë të kritikojnë Qeverinë për moskompletimin e stafit të saj.
Nënkryetari i LDK’së, Haki Rugova thotë se pazari ndërmjet Thaçit dhe Pacollit është bërë pengesë për vonesat ne emërimet e zyrtarëve qeveritarë.
“Kjo vonesë vjen për shkak të pazareve ndërmjet partnerëve të koalicionit. Ata janë duke bërë pazar ndërmjet veti, i cili nuk ka të bëjë me një qeveri funksionale. Me këto veprime që po i bëjnë, po del se kemi një qeveri qesharake, një qeveri e cila jo vetëm se e rëndon buxhetin, por nuk besoj se sjell asnjë vlerë dhe qeverisje të mire”, ka akuzuar Rugova.
Ky zyrtar i LDK’së kërkon që sa më shpejt të rregullohet me ligj numri i zyrtarëve qeveritarë, e jo të bëhen emërime në bazë të pazareve ditore të partive politike.
“Del në sabah, hajde zëvendësministër, del në tjetrin sabah, thotë hajde nuk e ke problem do të bëhesh zëvendëskryeministër. Ky realitet është i shëmtuar dhe sa më jetëgjatë të jetë kjo Qeveri, do të jetë më keq për ne dhe për Shtetin e Kosovës”, ka thënë Rugova për Express.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës aktualisht ka 18 ministra, 6 zëvendëskryeministra, derisa parashihen të emërohen edhe 30 zëvendësministra. Me marrëveshjen e re PDK-AKR është vendosur për themelimin edhe të një ministre të re që e rrit numrin e ministrive në 19. Aktualisht, PDK’ja udhëheq me 10 ministri, AKR’ja me tri, minoritetet me 4 dhe Lista Ibrahim Rugova me një.