Shtegu i kontrabandës
Veriu i Kosovës vazhdon të mbetet pjesa më problematike e vendit nga aktivitetet e kontrabandës dhe krimit të organizuar. Artikujt më fitimprurës për biznesmenët dhe bizneset që më së shumti mbushin buxhetin kontrabandohen në këtë pjesë. Tentativat për t`i mbyllur shtigjet e kontrabandimit janë shumë të vogla.
Zëdhënësi i doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë se kontrabandimi i artikujve të ndryshëm është i pranishëm në Kosovë, por me theks të veçantë në veriun e Kosovës. “Pjesa veriore e Kosovës ende mbetet vendi prej nga kontrabandistët tentojnë të fusim mallrat e ndryshme. Gjithashtu numri më i madh i zbulimeve është në atë pjesë të Kosovës”, tha ai.
Artikujt që hyjnë më së shumti në mënyrë të kundërligjshme në Kosovë, sipas Stavilecit, janë derivatet e naftës, medikamentet, cigaret pa banderola, stolitë e arit, telefona celularë, pije joalkoolike, pije alkoolike, vajra motorike, kafeja, tekstili dhe veshmbathjet. Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Nazmi Bytyçi, ka thënë për ‘Express’ se kontrabanda e derivateve është duke e dëmtuar shumë tregun e naftës në Kosovë.
Sipas tij, dëmet janë të shumëfishta sepse nga veriu po hyn sasi e pakontrolluar e naftës, është prishur tregu i derivateve, ndërsa sa i përket cilësisë, është shumë e dyshimtë.
“Kjo është e dëmshme edhe për shëndetin e popullatës, për shkak të sasisë së madhe të sulfurit që përmban nafta e kontrabanduar në veriun e Kosovës”.
Kreu i naftëtarëve të Kosovës mendon se kjo pjesë e vendit, e cila ende nuk është futur nën kontrollin e shtetit, përveç dëmtimit të tregut, dëme të mëdha po i sjell edhe shtetit, duke pasur parasysh të hyrat e mëdha që mbledh buxheti nga akciza e naftës.
Përveç faktit që kjo naftë nuk tatohet nga ATK`ja, Bytyçi tha se këto derivate janë të dyshimta edhe sa i përket cilësisë.
“Përderisa ne importuesit e licencuar i nënshtrohemi edhe kontrollit të cilësisë, ata nuk i nënshtrohen këtij kontrolli dhe cilësia e naftës që hyn nga veriu është shumë e dyshimtë”.
Ai shtoi se kjo dukuri po bëhet shumë shqetësuese, sepse përkundër kërkesave te ATK dhe Inspektorati i tregut në MTI, kjo gjendje po vazhdon.
Drejtori i Zyrës për licencim, rregullim dhe vëzhgim në sektorin e naftës në Kosovë, Ramadan Buzhala, thotë se minimizimi i kësaj dukurie do të bëhej i mundur nëse bashkëveprojnë edhe institucionet tjera relevante.
“Bashkëpunimi i organeve përgjegjëse do të ishte kur bashkëveprojnë së bashku me ne edhe Dogana e Kosovës, Njësiti Antikrim i Policisë së Kosovës, gjithashtu edhe Inspektorati i tregut në kuadër të MTI-se për të mos lënë anash edhe Komisionin e Konkurrencës e disa mekanizma tjerë”, tha Buzhala.
Shqetësimet për kontrabandë i kanë ngritur edhe prodhuesit e pijeve joalkoolike. Drejtori i kompanisë ‘Fluid’, Fejzullah Mustafa thotë se futja kontrabandë e pijeve joalkoolike është duke i dëmtuar prodhimet vendore, në veçanti lëngjet ‘Bravo’, të cilat po futen ilegalisht në tregun e Kosovës. Ai ka shtuar se kjo po ndikon në rënien e prodhimit vendor, e për pasojë edhe zvogëlimin e numrit të punëtorëve.
Sipas tij, shteti duhet të reagojë më fuqishëm për neutralizimin e kontrabandës, sepse kjo nuk ka dëmtuar vetëm prodhuesit, por edhe buxhetin e shtetit.
Ai ka shtuar se akciza e lartë, TVSh`ja dhe tregu ilegal i ka dëmtuar shumë prodhuesit vendorë. Ndërkaq zëdhënësi i doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë se dogana ka shtuar aktivitetet dhe efiçiencën për të minimizuar kontrabandën dhe, sipas tij, në këtë drejtim janë shënuar edhe rezultate.
“Është e vërtetë që ka kontrabandim, por gjatë vitit të kaluar dhe këtij fillim viti ne kemi punuar shumë në zvogëlimin e kontrabandës. Kemi krijuar grupe të veçanta veprimi me Policinë e Kosovës, që si cak kanë luftimin e kësaj dukurie”.
Problem jo i vogël është edhe mbikëqyrja e vijës së gjelbër të kufirit.
Dogana dhe institucionet tjera kompetente deklarojnë se po bëjnë gjitha përpjekjet që të vënë nën kontroll këtë pjesë të Kosovës.