Harta e energjisë, rrethet që nuk paguajnë dhe ato më shembulloret
Sipas një raporti të Entit Rregullator të Energjisë, zonat me treguesit më të ulët të pagesës së energjisë, mbetën Burreli, Kukësi dhe Shkodra, ndërsa rrethet që paguajnë energjinë që konsumojnë janë Gjirokastra, Korça dhe Përmeti
Harta e pagesës së energjisë elektrike nga konsumatorët shqiptarë mbetët gati e njëjtë edhe pas privatizimit të shpërndarjes së energjisë OSSH, tani Cez Shpërndarje. Sipas raportit vjetor të Entit Rregullator të Energjisë, që është depozituar për miratim në Kuvend, zonat me treguesit më të ulët të pagesës së energjisë, mbetën Burreli, ku niveli i humbjeve rezulton 45.1% dhe niveli i arkëtimeve 54 për qind të energjisë së faturuar. Më pas vijnë Kukësi dhe Shkodra, me humbje përkatësisht 44.9 për qind dhe 41.9 %, kurse arkëtimet përkatësisht, 55.1% dhe 58.1%. Ndërsa në krahun tjetër, zonat më eficente në arkëtimin e energjisë mbeten Gjirokastra dhe Korça, me një nivel humbjesh rreth 20 për qind dhe arkëtime në masën 80 për qind të faturimit. Në këtë këndvështrim, ERE vë në dukje se, pavarësisht se ka një përmirësim në nivelin e humbjeve, në krahasim me vitin 2009, Cez Shpërndarje është ende larg objektivave të përcaktuara tashmë në deklaratën rregullatore, e nënshkruar në momentin e privatizimit të shoqërisë. Nga ana tjetër, peshën specifike më të madhe në konsumin e energjisë e kanë zonat e Tiranës, Fierit dhe Shkodrës. Nga një analizë të situatës në të gjitha zonat e shpërndarjes së energjisë, ERE vëren se për të pasur një ndryshim pozitiv të situatës, për sa i përket minimizimit të humbjeve, vëmendja kryesore në menaxhim dhe në investime duhet të përqendrohet në këto katër zona kryesore, por duke mos lënë pas dore edhe zonat e tjera problematike. Kështu sipas raportit vjetor të ERE, struktura e konsumit të energjisë elektrike, sipas shtrirjes gjeografike, evidenton rastin se 70 për qind e konsumit të përgjithshëm të energjisë kryhet në Ultësirën Bregdetare, në zonat Tiranë, Shkodër, Durrës dhe Fier, ku është e përqendruar edhe pjesa më e madhe e popullsisë së vendit dhe aktiviteteve ekonomike. Pjesën e “luanit”, në tortën e ndarjes së energjisë e zë Tirana, e cila konsumon gati 34 për qind të totalit të energjisë elektrike, të lëshuar për konsum. Më pas vjen Durrësi, me 14 për qind të konsumit, Shkodra dhe Fieri, me nga 11 për qind, Elbasani me 6%, Burreli me 6%, Gjirokastra me 4%, Korça me 5 %, Berati me 6% dhe Kukësi me 3%. Ndërsa energjia e hedhur për konsum, në pjesën më të madhe të saj, gati me më shumë se 50 %, konsumohet nga familjarët dhe pjesa tjetër ndahet ndërmjet bizneseve dhe institucioneve. ERE vëren se, Cez shpërndarje ka detyrimin që gjatë këtij viti të zvogëlojë humbjet me 6 %, për t’i ulur ato nga niveli 33.9 për qind, që janë aktualisht, në 27, 92 për qind, në fund të dhjetorit 2011. ERE vëren gjithashtu se, privatizimi i OSSH deri tani nuk ka shënuar një kthesë të ndjeshme në menaxhim.
Rrethet që nuk paguajnë energji
Burreli
Kukësi
Shkodra
Rrethet që e paguajnë më mirë
Gjirokastra
Korça
Përmeti
Rrethet sipas konsumit
Tirana 34 %
Durrësi 14 %
Shkodra 11 %
Fieri 11 %
Ebasani 6%
Burreli 6%
Berati 6%
Korça 5 %
Gjirokastra 4%,
Kukësi 3%
Naço: Çmimi i energjisë elektrike nuk do rritet këtë vit
Çmimi i energjisë elektrike, për vitin 2011 nuk do të rritet dhe qeveria do të vazhdojë subvencionimin e një pjesë të energjisë për kategori të veçanta, si pensionistët. Lajmin e ka dhënë Ministria e Ekonomisë në një deklaratë të fundit të për mediat fakt të cilin e ka pohuar edhe ministri i Energjetikës, Nasip Naço gjatë një raportimi në Kuvend. Në fakt deklarata e ministrit që shpreh vullnetin e qeverisë në lidhje me tarifat e pritshme të energjisë nuk ka fuqi vepruese, për shkak se për ndryshimin e tarifave të energjisë vendos Enti Rregullator i Energjisë. Ndërsa në kërkesën e Cez për rritje të tarifave të energjisë për vitin që shkoi Bordi i ERE la të pandryshuara çmimet e energjisë për vitin 2011 nga ato që ishin. ERE edhe përgjatë vitit 2011, vendosi të ruajë të njëjtat çmime, si dhe sistemin tarifor me dy blloqe, si një masë tranzitore duke lenë në fuqi një çmim prej 7.70 lekë /këh për konsumin deri 300 kwh, dhe për konsumin mbi 300 këh, një çmim prej 13.50 lekë për kwh. Sipas Deklaratën Rregullatore, e cila është një kontratë për çmimet ndërmjet Entit Rregullator me CEZ shpërndarje, rishikimi i çmimit është parashikuar të ndodhë edhe këtë vit dhe vitin tjetër, ndërsa çmimi i vitit 2012 do të jetë i vlefshëm deri më 2014. Pas këtij viti, kërkesa për çmimin do të shqyrtohet një herë në tre ose pesë vjet. Në fakt është deklarata rregullatore, që u nënshkrua në momentin kur u privatizua OSSH, ajo që përcakton marrjen në shqyrtim të tarifave të energjisë çdo vit, për një periudhë 5-vjeçare. Sipas kësaj deklarate, për periudhën 1 janar 2009 - 31 dhjetor 2009, ishte një periudhë tranzitore, gjatë së cilës nuk pati ndryshim në tarifat ekzistuese. Tarifat e reja u bënë efektive, duke filluar nga data 01 janar 2010. Sipas deklaratës rregullatore, periudha e parë e rregullimit të tarifave ishte 31 dhjetor 2010; periudha e dytë e rregullimit do të jetë 1 janar - 31 dhjetor 2011 dhe periudha e tretë e rregullimit do të jetë 1 janar 2012 – 31 dhjetor 2014. Ndërsa periudhat vijuese të rregullimit do të jenë nga 3 deri në 5 vjet. Për të gjithë këtë periudhë, OSSH do të paraqesë aplikimin e saj për tarifë të re energjie, jo më vonë se 1 shtatori i vitit kalendarik që paraprin atë periudhë rregullatore apo atë vit. Sipas deklaratës rregullatore, ERE do t’i aprovojë këto tarifa jo më vonë se data 7 dhjetor i të njëjtit vit kalendarik. Tarifat e aprovuara do të bëhen efektive më 1 janar të vitit në vazhdim, sipas përcaktimeve të kontratës për çmimin, ndërmjet ERE dhe Cez shpërndarjes. Ndërsa, për sa i përket miratimit të deklaratave rregullatore vijuese, jo më vonë se 30 qershor 2014, ERE do të miratojë një deklaratë rregullatore për periudhat e rregullimit që vijojnë pas vitit 2014, e cila nuk do të ndryshojë ndjeshëm në metodologji nga kjo deklaratë rregullatore.