E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harta e re e çmimit të tokës, si do kompensohen ish pronarët

Qeveria miraton hartën e re të vlerës së tokës. Berisha: Hapet rruga për kompensimin e pronës

pronar harta e reKëshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për hartën e re të vlerës së pronës, duke i hapur rrugë në këtë mënyrë edhe kthimit dhe kompensimit të pronave, ish/pronarëve. Kryeministri Berisha informoi se vendimi është hartuar me angazhimin e ekspertëve më të mirë europianë dhe mbi parimet e Komisionit Europian.
Harta
Harta e re e vlerës së pronës bën transparencën e plotë të çmimeve të tregut, dhe i hap rrugën kompensimit fizik përfundimtar të ish/pronarëve. Është punuar më shumë se gjashtë muaj me ekspertët më të mirë europianë e të vendit për hartën e vlerës së tokës, e cila, për fat të keq, në të gjitha variantet ka qenë jo në vlerat reale. Ajo njohu luhatje ekstreme. Pak vite më parë, para përcaktimit të saj, çmimet e deklaruara të tokës ishin qesharake. Mund të gjeje kontrata me çmim trembëdhjetë euro në qendër të Tiranës. Këto ishin të gjitha deklarime abuzive për të shmangur detyrimin tatimor, siç është edhe çmimi dy dollarë në shpat të Dajtit. Çmimet e mëparshme ishin qesharake. Harta që u bë, caktoi çmime që, për fat të keq, shkonin në ekstremin tjetër, tha dje Berisha.
Studimi
Më tej ai shtoi se një studim i hollësishëm gjeti se çmimet ishin në raste të caktuara edhe dhjetë herë më të ulëta, sesa çmimi që caktonte harta në zona dhe se blerja reale. Atëherë, qeveria vendosi të bëjë një studim e angazhoi specialistët më të mirë të Europës, ata që kanë bërë harta jo në një, por në disa vende dhe mbi parimet e Komisionit Europian për vlerat e hartat. Kështu me vendimin që marrim, i cili e bën transparent tregun e tokës, dua ti them të gjithë ish/pronarëve se hapet rruga në mënyrë përfundimtare për kompensimin fizik të tyre. Natyrisht, në vlerësimet e reja janë marrë parasysh të gjithë faktorët dhe është hequr dorë nga marrëzia që supozonte se në x parcelë të një x rajoni, toka vlerësohej sikur aty do të ndërtohej një hotel me pesë yje. Ajo ishte një ëndërr nate, jo dite. Harta e re bën transparencën e plotë të çmimeve të tregut, përfundoi fjalën e tij Berisha.
Vlerësimi i pronës
Harta e re e tokës, plotëson kuadrin ligjor për ti hapur rrugë kompensimit dhe kthimit të pronave. Harta e re e vlerës së tokës është në përputhje të plotë me çmimet e tregut. Vlerësimi i pronës që kompensohet do të kryhet në përputhje me parimet e përgjithshme të vlerësimit të pasurive të paluajtshme, bazuar në vlerën e tregut sipas standardeve ndërkombëtare të vlerësimit të pasurisë së paluajtshme, llojin e pasurisë dhe qëllimin e përdorimit të saj. Vlerësimi i pasurive të paluajtshme sipas kësaj metodike do të kryhet bazuar në elementët: çmimi i tregut; lloji i pasurisë së paluajtshme; qëllimi i përdorimit të pasurisë së paluajtshme.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›