E Diel, 1 Nëntor 2026

Përjashtohen nga tatimet rrogat nën 30 mijë lekë

Komisioni i Ekonomisë shqyrton paketën fiskale. Përfitojnë 200 mijë persona

Komisioini i EkonomiseQeveria nuk do të tatojë asnjë punonjës që paguhet më pak se 30 mijë lekë në muaj. Ndërkohë edhe qytetarëve me të ardhura vjetore deri në 1 milionë lekë, do tiu rimbursohet taksa e ndërtesës. Këto ndryshime u miratuan dje në Komisionin e Ekonomisë vetëm me votat e maxhorancës. Janë rreth 200 mijë persona që do të përfitojnë nga këto ndryshime, por më parë duhet të bëjnë deklarim të të ardhurave personale në tatime.
Nisma
“Ndihmë jashtëzakonisht shumë e madhe, jo vetëm për individët të cilët janë ata që përfitojnë direkt nga kjo nismë, por nga ana tjetër edhe për sipërmarrësit. Punëmarrësit e tyre do të mund të kenë një rrogë shtesë në vit pa pasur nevojë që këto të kontribuojnë nga të ardhurat e biznesit. Impakti që do të ketë në buxhet llogaritet të jetë rreth 2.5 miliardë lekë, deklaroi dje Alfred Rrushaj, zëvendësministër i Financave, ndërsa shtoi se ndryshimet që u kaluan në Komision nuk ndikojnë negativisht në sistemin e taksimit, por thjesht vendosin pragun e taksimit.
Opozita
Paketa fiskale është kundërshtuar nga opozita, sipas të cilës, ky hap po ndërmerret thjesht për efekt elektoral. “Praktika që ndodh më jep të drejtën të argumentojë që këto ndryshime më tepër kanë karakter elektoral se sa janë pjesë e një filozofie të një qeverisjeje të mirë. Po të ishte kështu, do të ishin pjesë edhe të një buxheti afatmesëm, do të ishin pjesë dhe të fillimit të vitit”, deklaroi Malaj. Deputetët e opozitës janë shprehur se në seancën plenare të radhës do të paraqesin zyrtarisht amendamentet përkatëse për këto ndryshime.
Ligji aktual
Ligji ekzistues parashikon që të ardhurat nga punësimi nga 0-10 000 lekë nuk janë të tatueshme për efekt tatimi mbi të ardhurat personale, ndërsa të ardhurat nga 10 001 30 000 lekë të tatohen 10% të shumës mbi 10 000 lekë dhe të ardhurat nga 30 001 e më tepër, tatohen 10% të shumës mbi 0 lekë. Qëllimi i këtij projektligji është që nëpërmjet mos taksimit, të të punësuarve me të ardhura nga 0-30 000 lekë të cilët më parë taksoheshin me 10% të shumës mbi 10 mijë lekë, të rriten të ardhurat e disponueshme të tyre, të cilat janë një faktor i rëndësishëm i rritjes së nivelit të konsumit dhe të përmirësimit të kushteve të jetesës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›