Ish të përndjekurit, përgjysmohet fondi i dëmshpërblimit
Studimi i ODA: Qeveria ka shpenzuar vetëm 50 % të fondit akorduar për ish të përndjekurit politikë
Ish të përndjekurit politik nuk e kanë marrë të plotë masën e dëmshpërblimit në 8 vitet e fundit. Nga studimet rezulton se fondi i miratuar për këtë shtresë pothuajse çdo fundviti është përgjysmuar, çka do të thotë se është ndarë vetëm gjysma e tij. Për disa vite (duke nisur që nga 2005-a) rezulton se vetëm gjysma e buxhetit të akorduar për ish të dënuarit politik është shpërndarë në formë dëmshpërblimi, ndërsa pjesa tjetër e fondit ka ngrirë apo nuk dihet se për çfarë është përdorur. Kështu nëse marrim si shembull vitin 2007 nga 400 milionë që ishte fondi për dëmshpërblinin e ish të dënuarve, vetëm 200 milionë u përfituan prej tyre, ose thënë ndryshe 50 % e fondit total. Ndryshe paraqitet situata në dy vitet e fundit, ku edhe për shkak të presioneve dhe protestave deri në grevë urie nga ana e ish të përndjekurve politikë, qeveria jo vetëm që e ka rritur fondin për dëmshpërblimin e kësaj kategorie, por dhe e ka realizuar atë në masën 100 %.
Studimi
Pikërisht këtë shpërdorim të fondit fakton një studim i fundit i Open Data Albania, i cili bazohet në shifra zyrtare, duke treguar se sa ka qenë buxheti në fillim të çdo viti për kategorinë e ish të përndjekurve politikë, dhe sa për qind e tij është shpërndarë më fund të vitit. Hulumtimi i Open Data Albania i referohet viteve (2005-2013) dhe bazohet mbi të dhëna zyrtare të Ministrisë së Financave. Për këtë arsye u morën në shqyrtim Tabelat Fiskale të Buxhetit të Konsoliduar, në të cilën fondet për këtë kategori zënë një vend të veçantë në seksionin e Shpenzimeve Totale. Për të plotësuar akoma më shumë analizën, u studiua jo vetëm Buxheti Fillestar i miratuar për çdo vit, por për vitet në të cilat mund të siguroheshin të dhënat, u morën parasysh edhe Buxheti Shtesë, Buxheti i Rishikuar, Akti Normativ i Buxhetit dhe Buxheti Faktik.
Fondet
Viti 2005 është viti i parë në të cilin fondet për ish të përndjekurit politikë dalin si zë mënjanë në buxhet. Gjatë këtij viti, shuma e parashikuar ishte 260 milionë lekë apo rreth 0.028 % e PBB-së. Vihet re se me kalimin e viteve, shuma e parashikuar ka ardhur përgjithësisht në rritje, për të arritur kulmin në vitin 2009. Kështu, gjatë vitit 2006, mbështetja e buxhetit për këtë kategori u rrit me 53 % krahasuar me vitin 2005 dhe në të njëjtat nivele ngeli edhe gjatë vitit 2007. Ndërsa 2008-a ishte viti i cili shënon një rritje të theksuar të fondeve, duke shkuar në rreth 0.1% të PBB-së. Viti 2009 vijon këtë rritje, me dyfishim të mëtejshëm të fondeve duke arritur në vlerën 2 miliardë lekë apo 0.173% të PBB-së.
Dyfishimi i fondeve
Rritja e shpenzimeve buxhetore gjatë 2009-s si pasojë e të ardhurave nga privatizimi i OSSH-së, bëri që fondet e parashikuara për ish të përndjekurit politikë të shkonin në 3.17 miliardë, shifra më e lartë e dhënë ndonjëherë nga buxheti për këtë kategori. Pas këtij momenti, vihet re një konstante në nivelin e buxhetuar prej 2 miliardë lekësh për vitet 2010 dhe 2011, ndonëse Shpenzimet Totale të buxhetit ishin në rritje. Viti 2012 shënon një rënie prej 15% të financimit, duke e çuar mbështetjen për ish të përndjekurit politik në 0.122% të PBB-së, niveli më i ulët që prej vitit 2008.
Ndarja e dëmshpërblimit
Megjithatë, pavarësisht mbështetjes në rritje të Buxhetit Fillestar gjatë viteve 2005-2009, realizimi faktik i tyre nuk ka qenë në nivelin 100%. Kështu, realizimi faktik deri në muajin nëntor për vitin 2007, ishte 50% apo 200 milionë lekë nga 400 milionë që ishin parashikuar në fillim të vitit. Në tabelën fiskale që i referohet të dhënave faktike për 12 muajt për vitin 2007, zëri për ish të përndjekurit politikë nuk shfaqet, duke mos lejuar gjykimin mbi realizimin total të këtyre shpenzimeve deri në fund të vitit. 2008-a është viti në të cilin është realizuar 100% shuma e parashikuar në Buxhetin Fillestar. Ndërkohë, viti 2009, i cili paraqitet në pamje të parë shumë mbështetës për këtë kategori, e kishte realizimin rreth 69 %. Pra, nga 3.17 miliardë që ishin fondet pas Rishikimit të Buxhetit, realizimi faktik ishte vetëm 2.2 miliardë. Megjithatë, kjo shënon gjithsesi nivelin faktik më të lartë të disbursuar nga Buxheti i Shtetit për ish të përndjekurit politikë. Realizimi i ulët për këtë zë karakterizon edhe vitet e mëtejshme. Nga 2 miliardë lekë të parashikuara në Buxhetin Fillestar për vitin 2010, realizimi faktik ishte vetëm 1 miliardë lekë apo 50 % e buxhetit të fillim vitit.
Rritet fondi i dëmshpërblimit në 3 vitet e fundit
Gjatë vitit 2011, duket se janë rritur përpjekjet krahasuar me një vit më parë, për të mbrojtur financimin e ish të përndjekurve politikë gjatë rishikimit të buxhetit, por gjithsesi, niveli i realizimit faktik ishte 1.5 miliardë kundrejt 2 miliardëve të parashikuar në fillim të vitit apo 75%. Pavarësisht se të dhënat faktike të Buxhetit për vitin 2012 nuk kanë dalë akoma, të dhënat fillestare të Thesarit flasin për një realizim 100% të tyre që në muajin nëntor. Akoma më tej, presioni për shlyerje të shpejtë të detyrimeve ndaj ish të përndjekurve politikë, ka bërë që për vitin 2013, Qeveria të parashikojë 3 miliardë lekë në buxhet apo rreth 76% më shumë se në vitin 2012. Megjithatë, duke mbajtur parasysh nivelin e realizimit ndër vite të këtij zëri si dhe faktin e një viti elektoral, duhen pritur të paktën raportimet e 6-mujorit për të gjykuar mbi angazhim real të buxhetit për shlyerjen e detyrimeve ndaj kësaj shtrese, konkludon në studimin e saj Open Data Albania.
Financimi nga Buxheti i Shtetit për ish të përndjekurit
Viti Buxheti Shuma (mln lekë) % ndaj PBB-së
2005 Fillestar 260 milion렠 0.028%
2006 Fillestar 400 milion렠 0.044%
2007 Fillestar 400 milion렠 0.041%
2007 Fakt 200 milionë
2008 B.Fillestar 1000 milion렠 0.093%
2008 B.Shtes렠 1000 milion렠 0.093%
2008 Fakt 1000 milionë
2009 Fillestar 2000 milion렠 0.17%
2009 Rishikuar 3170 milion렠 0.269%
2009 AN 3165.9 milion렠 0.269%
2009 Faktik 2200 milionë
2010 Fillestar 2000 milion렠 0.156%
2010 Rishikuar 1400 milion렠 0.114%
2010 AN 1400 milion렠 0.114%
2010 Faktik 1000 milionë
2011 Fillestar 2000 milion렠 0.15%
2011 Rishikuar 1800 milionë
2011 Faktik 1500 milionë
2012 Fillestar 1700 milion렠 0.122%
2013 Fillestar 3000 milion렠 0.21%