E Diel, 1 Nëntor 2026

Boshatiset buxheti, Shqipëria 157 mijë euro për gjyqet ndërkombëtare

Qeveria heq nga arka e buxhetit miliona lekë për të paguar studiot e huaja të avokatisë

gjyqi nderkombetar miliona lekeShqipëria do të paguajë një shumë të majme parash prej 157 mijë e 500 eurosh për të përballuar shpenzimet e studiove të avokatisë që do të mbrojnë vendin tonë në çështjet e arbitrazhit ndërkombëtar. Këto miliona lekë në kohë krize e boshatisin edhe më shumë buxhetin e shtetit, duke shkurtuar investimet apo shërbime të tjera në dobi të qytetarëve. Ky fond, i konvertuar në lekë me kursin e këmbimit të Bankës së Shqipërisë në datën kur do të kryhet pagesa, do ti transferohet Ministrisë së Drejtësisë për të bërë pagesën.
Çështja e parë
Kështu me vendim të Këshillit të Ministrave ditën e djeshme, Ministrisë së Drejtësisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2013, iu shtua fondi prej 122 500 (njëqind  e njëzet e dy mijë e pesëqind) eurosh, për pagesat e tarifave avokatore të përfaqësimit (kësti i katërt dhe i pestë), për çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar Burimi s.r.l. & Eagle Games, sh.a., kundër Republikës së Shqipërisë, që zhvillohet në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve nga Investimet (ISCID).
Çështja e dytë
Gjithashtu Ministrisë së Drejtësisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2013, do ti shtohet edhe fondi prej 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) eurosh, këtë herë për pagesat e tarifave avokatore të përfaqësimit (kësti i katërt), për çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar nr. ARB/11/24 Mamidoil Jetoil Greek Petroleum Products Societe Anonyme S.A., kundër Republikës së Shqipërisë, që zhvillohet në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Konflikteve në Investimet (ICSID).
Gjyqi me CEZ-in
Ndërkohë Qeveria shqiptare po përgatitet edhe për gjyqin e madh ndaj Çekisë lidhur me vendimet e ERE-s për heqjen e dy licencave të kompanisë CEZ Shpërndarje. Njëlloj si për dy gjyqet e mësipërme, Qeveria do të paguajë 900 mijë euro për mbrojtjen në gjyqin ndaj CEZ, nëpërmjet studios ligjore ndërkombëtare Derains&Gharavi. Ky fond, i bashkohet një tjetër shume me vlerë 300 mijë euro, akorduar një muaj më parë (pra është shtesë kontrate për studion ligjore), ndërsa Ministria e Drejtësisë thotë se, francezët janë përzgjedhur përmes një procedure konkurruese për të ofruar këshillim ligjor për këtë ministri. Në këtë mënyrë mosmarrëveshjet me kompanitë e huaja po kthehen në një barrë të rëndë për arkën e shtetit shqiptar, duke bërë që prej saj të dalin qindra mijëra euro vetëm për mbulimin e kostove të përfaqësimit të Shqipërisë në arbitrazhin ndërkombëtar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›