E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harta e vetëvrasjeve në Shqipëri

Grupmoshat më të prekura dhe arsyet pse e ndërmarrin një akt të tillë. Metodat dhe oraret që përzgjedhin për t’u vetëflijuar

Laureta Rryçi
Studimi më i fundit për fenomenin e vetëvrasjes ka përcaktuar qytetet ku ndodh më shpesh ky akt, grupmosha më e prekur, metodat dhe oraret që përzgjedh kjo kategori personazh. Studiuesi Sofokli Duka, në librin e tij “Vetëvrasja-motivet për jetuar” ka risjellë shifra që u përkasin të gjitha zonave të vendit. Më poshtë janë të renditura një sërë të dhënash, duke e parë vetëvrasjen sipas pikëpamjeve të ndryshme. Kjo është pasqyruar edhe në tabela.
Harta e vetëvrasjeve
Fenomeni i vetëvrasjes është i shtrirë pothuajse në të gjithë territorin e vendit, nga jugu në veri e nga lindja në perëndim. Përqindja më e madhe e rasteve të vetëvrasjeve rezulton të jetë në rrethet me popullsi më të madhe. Renditja e popullsisë së dhjetë rretheve të para të tabelës përputhet pak a shumë edhe me renditjen e numrit të popullsisë, duke përjashtuar rrethet e Elbasanit dhe Kurbinit, që e prishin deri diku këtë rregull. Grafiku i shtrirjes territoriale të vetëvrasjeve për periudhën 2000-2005 tregon përafërsisht të njëjtën konstante. Në nivele të tilla qëndrojnë rrethet e Tiranës, Korçës, Shkodrës, Durrësit, Beratit e Vlorës. Në Has, Devoll, Mat, Kolonjë dhe Bulqizë nuk është shënuar asnjë rast vetëvrasje. Vetëm në dy prefekturat, atë të Fierit dhe Tiranës, kanë ndodhur 42.6 për qind të vrasjeve në shkallë vendi. Në Peshkopi dhe Kukës rezulton se janë vetëvrarë vetëm meshkuj, ndërsa në Tropojë vetëm femra.
Vetëvrasja sipas moshës
Sipas moshës, shkalla më e lartë e vetëvrasjeve u përket të miturave. Për moshën e adoleshencës nivelin më të lartë të vetëvrasjeve e kanë meshkujt. Sipas studimit, ka rezultuar se kulmi i shkallës së vetëvrasjeve arrin në moshën mbi 60 vjeç, duke shënuar shifra të larta, që tregojnë dyfishin e meshkujve që vetëvriten në krahasim me femrat. Studiuesi Sofokli Duka shpjegon se një nga shkaqet kryesore të vetëvrasjeve për këtë moshë është “euthanasia”, e cila është e përhapur jo vetëm në vendet e zhvilluara, por edhe në vendet në zhvillim apo të prapambetura.
Orari
Sipas studimit, vetëvrasje ka pasur pothuajse përditë. Në ditët e shtuna dhe të diela janë shënuar më pak akte të tilla, gjë që argumentohet me bashkimin familjar gjatë fundjavës. Shumica e vetëvrasjeve janë kryer gjatë orëve të ditës, më pak në ato të natës dhe fare pak pas mesnate. Sipas studiuesit, zgjedhja e orës së vetëvrasjes ka si element parësor gjetjen e kohës së përshtatshme ku sigurohet vetmia ose prania e bashkëpunëtorëve, kur ata ekzistojnë, si dhe gjetja e viktimës nga të afërmit pasi akti i vetëvrasjes të ketë dhënë efektin.
Metoda
Helmimi është metoda kryesore e realizimit të aktit të vetëvrasjes. Gjatë vitit 2005 janë kryer rreth 80 vetëhelmime, të cilat përfaqësojnë 37 për qind të vetëvrasjeve në tërësi. Helmi konsiderohet si vdekje e “butë” dhe lënda mund të sigurohet lehtë. E dyta vjen vetëvarja. Në përgjithësi vetëvarjet janë realizuar ose në banesat ku jetojnë, ose në vende pranë këtyre banesave. E veçanta rezulton vetëvarja e disa të miturve dhe të rinjve në kasollet e bagëtive. Përveç metodave më tipike janë realizuar edhe metoda të tjera, si: djegie, përplasje me mjete lëvizëse etj.

Box1
Tabela e vetëvrasjeve sipas rretheve në përqindje

Rrethi Total M F
Tiranë 47 31 16
Fier 30 19 11
Korçë 16 11 5
Berat 12 6 6
Shkodër 11 6 5
Kurbin 9 6 3
Durrës 9 4 5
Vlorë 9 7 2
Lezhë 8 2 6
Gjirokastër 8 8 0
Lushnjë 8 2 6
Elbasan 7 3 4
Pukë 4 1 3
Kavajë 3 2 1
Mallakastër 3 2 1
Skrapar 3 0 3
Gramsh 3 2 1
Pogradec 3 1 2
Kukës 2 2 0
Tropojë 2 2 0
Dibër 2 2 0
Krujë 2 0 2
Sarandë 2 0 2
Delvinë 2 2 0
Kuçovë 2 0 2
Përmet 2 2 0
Tepelenë 2 1 1
Mirditë 1 0 1
M.e Madhe 1 0 1
Librazhd 1 0 1

Box 2
Tabela e moshës së vetëvrarë në vitin 2005
G.mosha Total
10-15 9
16-25 50
26-35 50
36-45 39
46-55 26
56-65 25
Mbi 60 15

Orari që kanë kryer vetëvrasjet

Ora për qind Ora për qind Ora për qind
01 0.6 09 6.0 17 7.4
02 - 10 5.0 18 5.4
03 0.6 11 9.4 19 6.0
04 - 12 8.1 20 6.7
05 - 13 8.7 21 4.7
06 0.6 14 6.0 22 3.3
07 5.4 15 6.0 23 1.3
08 2.0 16 6.4 24 1.3

Metodat e realizimit të vetëvrasjeve

Metoda Total
Helmim 80
Varje 62
Vrasje 43
Mbytje 10
Hedhje 13
Mënyra e tij 6

Mjetet e vetëvrasjes
Mjeti për qind
Fostoksinë 20
Kordon 18.6
Automatik 8.4
Pistoletë 5.6
Litar 4.6
Pushkë 0.92

31 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›