Dosja “Hoxha”, gjykata: Ilir Kumbaro i shmanget drejtësisë
TIRANË - Ilir Kumbaro, një prej 4 të pandehurve për procesin e zhdukjes së biznesmenit shqiptaro- maqedonas Remzi Hoxha, do të gjykohet në mungesë, ndërsa për të pandehurin tjetër Budjon Meçe, cili ndodhet i shtruar në spital, gjykata do të marrë një ekspert për të përcaktuar nëse është apo jo në gjendje për të marrë pjesë në seancat gjyqësore. Ky ishte vendimi që dha sot Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, në ngarkim të dy prej katër ish-zyrtarëve të SHIK-ut të cilët dyshohet se janë të implikuar në zhdukjen e biznesmenit Hoxha, në vitin 1995. Në seancën e sotme ishin të pranishëm vetëm dy të pandehurit Arben Sefgjini aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve dhe Avni Koldashi, të cilët po gjykohen në gjendje të lirë, pas vendimit të dhënë pak ditë më parë Gjykata e Apelit. Ndërsa për të pandehurin e shpallur në kërkim ndërkombëtar, Ilir Kumbaro gjykata vendosi përfaqësimin e tij nga avokati i zgjedhur kryesisht nga gjykata Avni Ponari. Pas marrjes së këtyre vendimeve, gjykata vendosi të shtyjë seancën për dy javë, kohë kjo që do t’i jepet edhe ekspertit për të përgatitur raportin përfundimtar.
31 Maj 2008