E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hartohet strategjia për shërbimin infermieror

23/12/2009  Në tërësi pohohet se ka mangësira në arsimimin praktik të profesionit të infermierit.
Kujdesi infermieror që ofrohet pranë institucioneve tona shëndetësore lë shumë për të dëshiruar. Shkak për këtë nuk bëhen vetëm kushtet e dobëta të punës, por edhe mungesa e njohurive profesionale që duhet të gëzojë kjo kategori. Pas evidentimit të problemeve të shumta të shfaqura për këtë sektor, duke filluar nga ana profesionale, kushtet e punës e nivelet e përfaqësimit, Urdhri i Infermierit të Shqipërisë ka hartuar strategjinë zbatimi synon të përmirësojë cilësinë e kujdesit të ofruar për pacientët. Infermieret, mamitë dhe fizioterapistët në Shqipëri përbejnë 70 për qind të punonjësve të shëndetësisë, çka kërkon ndërhyrjen e shpejtë në përmirësimin e këtij shërbimi, i cila ka ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e popullatës. Strategjia nën moton “Viti 2010 - viti i infermierisë” synon realizimin e disa kushteve dhe kërkesave të punës së shtresës së infermierëve dhe përmirësimit në tërësi të kujdesit shëndetësor.
Përmbajtja
Sipas planeve të hartuara, fillimisht do të veprohet me promovimin e Kartës Shqiptare për të Drejtat e Pacientit. Kjo e fundit do të mundësojë mbrojtjen e pacientëve nga kequshtrimi i profesionit prej infermierëve, mamive apo fizioterapistëve. Kështu, Urdhri i Infermierit do të marrë në mbrojtje edhe pacientët përveç infermierët. Ky dokument do të përgatitet si poster dhe do të vendoset në çdo mjedis spitalor ku realizohet kujdesi shëndetësor. Në këtë mënyrë edhe pacientët do të jenë të vetëdijshëm për cilësinë e kujdesit që duhet të marrin nga infermierët. Pjesë e këtij informimi nuk do të jetë vetëm rrjeti spitalor, por edhe të gjitha qendrat e kujdesit parësor, të cilat janë edhe pika e parë e kontaktit të pacientit me bluzat e bardha. Një tjetër pikë e rëndësishme është krijimi i Regjistrit Kombëtar të Infermiereve, ku planifikohet shpërndarja e Kodit Etik-Deontologjik. Për këtë strategjia parashikon edhe përgatitjen e dosjeve personale të çdo profesionisti me dokumentet e kërkuara dhe në bazë të tyre përfundimi i regjistrit kombëtar me të gjitha të dhënat profesionale të tyre.
Detyrat
Lidhur me respektimin e detyrave që kushtëzon vetë profesioni i infermierit, është hartuar një kapitull i veçantë në strategji, që përcakton aplikimin e dokumentit themeltar, “Kujdesjet infermierore”, në të gjitha nivelet lokale. Ky dokument parashikon përcaktimin e detyrave të kujdesit në të gjitha nivelet, të cilat çdo profesionist do t’i ketë të afishuara në vendin e punës për të qenë të njohura edhe për pacientët, si dhe rritjen e vlerësimit të figurës së infermierit, duke rritur nivelin etikoprofesional të tij dhe duke promovuar rëndësinë e kujdesit infermieror, vështirësitë dhe sakrificat e këtyre profesionistëve në ndihmë të pacientëve. “Kujdesi infermirore në Shqipëri aktualisht nuk është në nivelin e duhur, kjo për arsyet e trashëguara si dhe për vlerësimin e paktë që kanë pasur ato ndër vite dhe në trazicionin e gjatë që po kalojmë, si për nivelin e formimit bazë, ashtu dhe për nivelin etikoprofesional të këtyre punonjësve. Strategjia “Viti 2010 - viti i infermierisë” është një eveniment që ndodh për herë të parë në Shqipëri, që mendojmë se do të japë rezultate pozitive në përmirësimin e cilësisë së këtyre kujdeseve”, - pohohet nga drejtuesit e urdhrit të infermierit.
Edukimi i vazhdueshëm
Trajnime e seminare të detyrueshme për infermierët në të gjitha rrethet
Punonjësit e këtij shërbimi do të jenë të detyruar që për të mbajtur vendin e punës t’u nënshtrohen përgatitjeve të vazhdueshme për të cilat ka nevojë profesioni, veçanërisht në fusha të caktuara. Konkretisht, mbi tematikat e kujdesit për nënën dhe fëmijën, vaksinimi dhe masat profilaktike për një rritje të shëndetshme, kujdesi infermieror në familje (mosha e tretë dhe njerëzit në nevojë), edukimi shëndetësor i pacientëve. “Nëpërmjet këtyre seminareve synojmë të kalojmë në formim të vazhdueshëm të organizuar 20% të profesionistëve të kujdesit dhe në vitet e ardhshme, duke e institucionalizuar formimin e vazhdueshëm në çdo institucion shëndetësor, të kalojnë shkallë-shkallë të gjithë profesionistët e kujdesit”, - pohohet nga drejtuesit e kësaj strukture. Bashkëpunëtorë të kësaj nisme do të jenë UISH, me të gjitha strukturat e saj në bazë, Ministria e Shëndetësisë me të gjitha strukturat e saj në bazë, ISKSH me të gjitha strukturat e saj në bazë, fakultetet e infermierisë publike dhe private me kapacitetet e tyre në infermieri, Qendra Kombëtare e Edukimit të Vazhdueshëm, QK-CSA dhe të gjithë drejtuesit e kujdeseve infermierore në të gjitha nivelet institucionale.
Mangësitë
“Kujdesi infermieror në Shqipëri aktualisht nuk është në nivelin e duhur, kjo për arsyet e trashëguara si dhe për vlerësimin e paktë që ka pasur ndër vite dhe në trazicionin e gjatë që po kalojmë, si për nivelin e formimit bazë, ashtu dhe për nivelin etikoprofesional të këtyre profesionistëve. Strategjia parashikon zgjidhjen e këtyre problemeve”, - pohohet nga Urdhri i Infermierit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›