Investimet në rrugë, 2010 vit i rëndësishëm
23/12/2009 Flet kreu i qarkut Fier, Luan Muçaj
FIER- Viti 2009 mbyllet me disa investime të rëndësishme në infrastrukturën rrugore të qarkut Fier, të cilat kanë përmirësuar dukshëm komunikimin. Sipas kreut të Këshillit të Qarkut Fier, Luan Mucaj, investimet në rrugët rurale të qarkut do të jenë në prioritetin e qeverisë shqiptare për vitin e ardhshëm, në zmadhimin e financimeve si dhe në rritjen e numrit të rrugëve të rikonstruktuara. Investimet në rrugë janë bërë të rëndësishme për komunitetin fierak sidomos ata të zonave rurale, të cilët zhvillojnë më tej agrobiznesin, por edhe përmirësojnë komunikimin. “Janë të shumta investimet që ne përfituam nga vitin 2009”, ka pohuar kreu i qarkut Fier, Luan Mucaj. Përmendim këtu rrugën e Cakranit, rrugën e Strumit, rrugën e Darzezës, rrugën “Pushimi i shoferit” në Divjakë, rrugën e Hysgjokajt, rrugën e Ballagatit në Lushnjë. Viti që vjen do të jetë edhe më i suksesshëm, pasi do të rikonstruktohen gati 90 për qind e rrugëve rurale në qark, por edhe fondet do të jenë edhe më të mëdha nga ana e qeverisë shqiptare”. Investimet në infrastrukturën rrugore për vitin në vijim do të marrin financime përveç qeverisë shqiptare, edhe nga Banka Botërore, por edhe Fondi shqiptar për Zhvillim. Çdo njësi vendore prezantohet dhe siguron mundësinë e investimeve nëpërmjet projekteve të depozituara në qark. “Prioritet i vitit të ardhshëm madje i muajve të parë do të jetë projekti Ballagat-Lushnjë, dhe shumica e projekteve janë të paraqitura në qark së bashku me preventivin dhe ne do të mundësojmë përfitimin e fondeve nga qeveria shqiptare, FSHZH dhe Banka Botërore”.