E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përcillet për në banesën e fundit Lekë Çukaj

23/12/2009  Në homazhe, politikanë nga të dy kahet
SHKODER- Përfaqësues të partive të ndryshme politike si dhe qytetarë të shumtë nga Shkodra, Malësia e Madhe dhe Lezha i kanë dhënë dje lamtumirën e fundit ish-deputetit të PS-së Lekë Çukaj, i cili ndërroi jetë ditën e diel në një aksident të rëndë rrugor. Në nderim të figurës së politikanit Lekë Çukaj, familja e tij, kryesia e Kuvendit dhe pushteti vendor kanë organizuar homazhet në ambientet e Këshillit të Qarkut të Shkodrës. Gjatë ceremonisë së rastit, pranë trupit të pajetë të Lekë Çukajt u vendosën një numër i madh kurorash me lule në emër të kryetares së Parlamentit Jozefina Topalli, Këshillit të Qarkut Shkodër, Partisë Socialiste, Partisë Demokratike, PSV 91, familjarëve, miqve dhe të afërmve. Ndërkohë kryesocialsiti Edi Rama nuk ka marrë pjesë në këtë ceremoni, pavarësisht se ndodhej në Shkodër për t’i dhënë lamtumirën e fundit viktimës tjetër të aksidentit tragjik, aktivistit të lëvizjes sindikaliste dhe mbështetësit të së majtës Hasan Guçi. “Humbja tragjike e Lekë Çukajt, e ish-deputetit të PS është një humbje madhe për të gjithë ne kolegët që kemi qenë në një grup politik me Lekën, për të gjithë zonën e tij elektorale që ka përfaqësuar. Lekë Çukaj nuk ka qenë thjeshtë një numër në Parlament, por një zë që ka përfaqësuar denjësisht qarkun e Shkodrës. Ka qenë një shpirt i lirë, një njeri i fjalës, një njeri i cili kishte një humanizëm të shquar dhe me zonën e tij elektorale dhe me gjithë socialistët e Shqipërisë”, u shpreh Leskaj. “Siç e shihni jemi mbledhur të rinj e të vjetër, të gjithë bashkë. Është një ngjarje, e cila na ka shokuar të gjithëve. Madje të dy njerëzit që kanë humbur jetën kanë qenë dy persona tepër të veçantë për ne, kështu që të thuash dhimbje është tepër pak”, tha Majko. Më pas varrimi i ish-deputetit Lekë Çukaj u bë në fshatin e tij të Lindjes Dedaj të komunës Shkrel të rrethit të Malësisë së Madhe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›