E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Gjendja e gruas është në regres

Gratë deputete të Partisë Socialiste kanë nisur një tur forumesh në të gjithë vendin, për të forcuar rolin e gruas në shoqëri


DURRËS - Mundësitë e pakta që ofron realiteti i sotëm shqiptar, si dhe gjetja e rrugëve për të përmirësuar situatën e femrës shqiptare ka angazhuar dje në një forum të mbajtur në qytetin e Durrësit gratë deputete të Partisë Socialiste, ku ka marrë pjesë edhe kreu i kësaj force, Edi Rama.


Duke përshëndetur takimin, kryetari i PS-së vuri në dukje se gjendja e statusit dhe rolit të gruas shqiptare në jetën e vendit ka rënë ndjeshëm, si pasojë e vështirësive të shumta ekonomike, si dhe për shkak të mundësive të pakta që ofron realiteti i sotëm shqiptar. Sipas tij, regresi i vazhdueshëm ekonomik që ka prodhuar keqqeverisja po i mbyll përditë e më shumë gratë e vajzat shqiptare në shtëpitë e tyre, duke u vendosur pengesa që konsideroheshin të kaluara që në shekullin e kaluar.


"Është bërë më e vështirë, për ato që kanë kurajë dhe që guxojnë, ka gjithmonë një horizont të mundshëm, por për shumë kënd që nuk e ka kurajën e veçantë dhe që nuk i ka mundësitë për të gëzuar, ai horizont është i mbyllur dhe jeta është vështirësuar tej mase. Kam parasysh këtu një proces regresi, i cili i ka mbyllur në shtëpi dhe mbyll në shtëpi dita ditës shumë nëna të reja.


I përball shumë vlera me pamundësinë për të gjetur një punë dhe që i detyron të jetojnë brenda mureve të shtëpisë, që iu vendos vajzave barrierë që i konsideronin të shembura qysh në shekullin e shkuar, që në jo pak raste i kthen ato në objekte të një shfrytëzimi të patolerueshëm për një shoqëri të lirë demokratike", - tha Rama në fjalën e vet përshëndetëse të këtij aktiviteti.


Për këtë arsye, sipas kryetarit të opozitës, shoqëria shqiptare duhet të reagojë ndaj këtij fenomeni. Ai theksoi se edhe femrat, të cilat tashmë zënë një përqindje më të madhe të përfaqësimit në Parlamentin e Shqipërisë duhet ta ngrenë këtë si shqetësim në instancën e legjislativit.


"Kush më shumë sesa gratë që e përfaqësojnë drejtpërdrejt shoqërinë, komunitetin në instancën më të lartë përfaqësuese të vendit, në Parlament duhet ta ndiejë të vetin këtë detyrim për të qenë shembull për shumë gra dhe vajza që më shumë se çdo gjë tjetër kanë nevojë për kurajë. Këtë kurajë mund ta marrin më shumë se nga të gjitha fjalët, nga shembujt realë dhe të prekshëm të atyre që ia dalin të jenë nëna të shkëlqyera, por të jenë edhe aktiviste të spikatura në jetën publike", - u shpreh ai.


Duke kërkuar që niveli i përfaqësimit të grave në Kuvend të rritet edhe më tej, Rama sqaroi se forumi i iniciuar nga Partia Socialiste synon që të integrojë dhe nxisë pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në jetën shoqërore të komunitetit ku ato bëjnë pjesë, qoftë kjo bashki apo komunë. "Sot kemi një nivel më të lartë përfaqësimi të gruas në parlament.


Shifra në fakt është dyfishuar në krahasim me legjislaturën e kaluar, por duhet pjesëmarrje edhe më e lartë e gruas në parlament. Një forum pa kufij partiakë, një forum që do t'u mundësojë grave dhe vajzave në çdo qytet dhe në çdo komunë të vendit pjesëmarrjen në debate të domosdoshme për përmirësimin e kushteve, për pjesëmarrjen e grave dhe vajzave shqiptare në jetën shoqërore të komunitetit të tyre dhe të vendit tonë të përbashkët", - nënvizoi Rama.


Kjo iniciativë e deputeteve femra të Partisë Socialiste do të shtrihet në vijim edhe në qytetet dhe fshatrat e tjerë të vendit, me qëllim nxitjen e solidaritetit të grave të majta në promovimin dhe mbështetjen e njëra-tjetrës në zgjedhjet e ardhshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›