Hasa i Kastriotit i heq dy pikë Vllaznisë

Nëse ndeshja Kastrioti-Vllaznia nuk do të kishte asnjë minutë shtesë, shkodranët e drejtuar nga tekniku gjerman Urlih Shulse, do t'i gëzoheshin tri pikëshit të parë të marrë në transfertë, ndaj nje Kastrioti qe minuta e fundit i luajti me dhjete lojtare pas ndeshkimit me kartonin e kuq te Turdiut, por goli i Arjan Hasës në minutën e 91, u dha dy ekipeve nga një pikë, teksa Kastrioti arriti barazimin e tretë në shtëpi në katër javë kampionat, ndërsa tekniku Petrit Haxhiaj vazhdoi serinë pozitive me krutanët.
Barazimi i sotëm 1-1, i shtohet një serie prej pesë barazimesh në Krujë midis Kastriotit dhe Vllaznisë që fillojnë para 15 vjetësh, nga sezoni 1990-1991, kur në të parin takim historik dy ekipet barazuan 0-0, për ta pësëritur 3 herë 1-1 dhe një herë 2-2, në sezonin 1995-1996, i fundit për Kastriotin para rrëzimit një kategori më poshtë.
Takimi në Krujë filloi shumë entuziast dhe "gjurmët" e fitores 1-0 me Flamutarin ishin ende të "freskëta" në memorinen e krutanëve, që nuk kishin asnjë mungesë në ballafaqimin me Vllazninë. Kastrioti sulmi nga minuta e parë, por ishte Vllaznia ajo që realizon me Suad Licin në minutën e 36 të takimit, duke i mbyllyr 45 minutat e para në favor të saj. Një gol i kontestuar gjatë nga lojtarët vendas dhe nga publiku i shumtë në stadiumin "Kastrioti". Pjesa e dytë ka tjetër ritëm për vendasit, por goli, ai që ka më shumë vlerë në një ndeshje futbolli duket se është ende larg, madje në sekondat e fundit të ndeshjes, kur Arjan Hasa barazoi në minutën e parë shtesë 90'+1.
Me ketë barazim Kastrioti u ngjit në kuotën e 6 pikëve, po aq sa Besa e Dinamo, por duke i lënë pas këto të fundit falë golaverazhit më të mirë. Vllaznia tregoi se është një formacion i paaftë për të fituar jashtë shtëpisë, edhe pse përballë saj ishte një ekip i porsardhur në Kategorinë Superiore, por që ka më shumë se shkodranët grintën e të luajturit futboll. Edhe një herë Kastrioti dëshmoi se është një "kala" e pathyeshme edhe nga një gjerman si Urlih Shulse.
Në javën e ardhshme, që do të luhet ditën e mërkurë, Kastrioti do të përballet me Dinamon e vendit të parafundit, me po 6 pikë se krutanët, ndërsa Vllaznia do të përballet në shtëpi me Flamurtarin, që me fitoren e arritur ndaj Luftëtarit, ndodhet në kuotën e 6 pikëve.
SKEDA
KASTRIOTI-VLLAZNIA 1-1
Shënues: Hasa 90'+1/Suad Lici 36'
Karton i kuq: Turdiu 81'
Gjyqtarë: M. Sopjani, F. Lamaj, A. Lamce.
Stadiumi "Kastrioti", Krujë.