Partizani, “TRI PIKË “ të mëdha nga Peqini i vogël

Partizani i bën "gjëmën" Shkumbinit në "strofkullën" e tij, në Peqin, atje ku kishte kishte plot 10 vjet pa fituar, qysh nga zezoni 1995-1996 kur pati fituar me rezultatin e ngushtë 1-0. Dhe sot pas 12 duelesh, 10 të humbura e dy barazime, të kuqtë kanë mundur të sjellin në Tiranë "TRI PIKË " të mëdha nga Peqini i vogël.
Në fushën sportive të Peqinit, u përballën Shkumbini dhe Partizani, dy ekipet që para 90 minutëshit ndanin më pikë të barabarta vendet 2-3, por falë avantazhit +2 të golave për peqinasit, Shkumbini ishte në vendin e dytë, ndërsa pas fitores prepotente të "demave të kuq", peqinasit e kanë parë veten me -3 pikë larg Partizanit të vendit të dytë, dhe -4 pikë larg Tiranës kryesuese, dhe kjo vetëm brenda dy javësh, ku Shkumbini i Vasil Bicit humbi në të dy përballjet me skuadrat kryeqytetase: të dielën e kaluar me Dinamon 2-1 dhe sot me Partizanin 2-0.
Partizani, reagoi në mënyrën më të mirë pas humbjes së merituar me Tiranën në javën e 5-të, ndërsa trajneri Bajko megjithë problemet në stafin e tij teknik pas largimit të Ylli Shehut, e shfrytëzoi në maksimum pauzën e kampionatit.
Pjesa e parë foli për Shkumbinin që falë edhe mbështetjes të pubikut arriti të dominojë zotërimin e lojës, teksa Bajko e udhëzoi 11-shin e tij të ishte i kujdesshëm në zonat përmbyllëse, duke krijuar një perde të hekurt qysh në mesfushën e tij. Pjesa e parë u mbyll 0-0, ndërsa në pjesën e dytë Partizani u fut me më shumë bësim për ta fituar ndeshjen.
Protagonisti i parë i fitores u bë Gjergj Muzaka, rekordmeni shqiptar i golit më të shpejtë në historinë e kampionateve shqiptare, që në të 58' shënoi golin e parë për Partizanin. Shkumbini filloi të reagojë, por "asi nën mëngë" i Neptun Bajkos, braziliani Leandro Da Silva, në ndeshjen e parë me fanelën e kuqe, dyfishoi rezultatin në minutën e 73-të, gol që provokoi edhe tifozerinë vendase, që megjithë kujdesin e rreptë të forcave të rendit, arriti të ushtrojë presion mbi gjyqtarët duke hedhur edhe ndonjë "portokalle" në fushë.
Përfundimisht, edhe pse gjyqtari vlonjat Aranit Lulaj, dha katër minuta shtesë, ekipi i Vasil Bicit, nuk arriti të shënojë për herë të parë në katër ndeshjet e shtëpisë, qoftë edhe një gol të vetëm, duke regjistruar edhe humbjen e parë sezonale, dhe ndoshta atëherë kur nuk e priste nga ekipit që gjithmonë i kishte thyer për 10 vjet me rradhë brirët. Partizani, me fitoren e merituar jo vetëm që zhbllokoi veten nga ngërci me Tiranën, por të mërkurën do të jetë edhe më i mobilizuar për të fituar takimin e radhës me kampionin e vendit Elbasanin.
Skeda
SKEDA
Shkumbini-PARTIZANI 0-2
/Muzaka 58', Leandro 74'
Java e 6-të e Kategorisë Superiore
14 tetor 2006, Fusha sportive e Peqinit, ora 14:00
Gjyqtarë: Aranit Lulaj. Ndihmës: S.Avdo, I. Shima
NDESHJET SHKUMBINI-PARTIZANI NGA SEZONI 1999/2000 NË PEQIN
Sezoni 2005/2006
Shkumbini-Partizani 0-2
Sezoni 2005/2006
Shkumbini-Partizani 2-1
Shkumbini-Partizani 2-0
Sezoni 2004/2005
Shkumbini-Partizani 1-0
Shkumbini-Partizani 4-3
Sezoni 2003/2004
Shkumbini-Partizani 0-0
Shkumbini-Partizani 3-0
Sezoni 2002/2003
Shkumbini-Partizani 1-1
Sezoni 2001/2002
Shkumbini-Partizani 2-1
Sezoni 1999/2000
Shkumbini-Partizani 3-0
Sezoni 1998/1999
Shkumbini-Partizani 2-0
Sezoni 1997/1998
Shkumbini-Partizani 1-0
Sezoni 1996/1997
Shkumbini-Partizani 4-0
Sezoni 1995/1996
Shkumbini-Partizani 0-1
Sezoni 1994/1995
Shkumbini-Partizani 3-0
Ndeshje në total: 15; 11 fitore Shkumbini, 2 barazime, 2 fitore Partizani.