Kamikazëve të PS në KQZ s’u ka ardhur ende urdhri për tërheqje, sillen me institucionin me taktika parashtetërore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u shndërrua dhe dje në shënjestrën e përbaltjes së 3 anëtarëve të tij, pa harruar dhe përfaqësuesit ligjorë të Partisë Socialiste. Në vijim të tendencës për të sabotuar me çdo kusht funksionimin e institucionit që administron zgjedhjet, 3 anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të votuar nga Kuvendi i Shqipërisë, nga fillimi i procesit të zgjedhjeve në Tiranë e deri në momentin e vendimmarrjes së Kolegjit Zgjedhor, kanë shfaqur varësi të plotë politike si dhe dashakeqësi për të penguar funksionimin e institucionit. Në çdo mbledhje, përfaqësuesit e majtë të komisionit kanë tentuar me çdo kusht të cenojnë integritetin e mbledhjeve të KQZ-së, duke vënë kështu në pikëpyetje të madhe procesin vendimmarrës të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në këtë drejtim, kuptohet qartë porosia e Edi Ramës për 3 anëtarët e pacipë të KQZ-së, të cilët në rastin më të mirë thjesht duhet të sabotojnë vendimmarrjen e institucionit, duke krijuar kështu boshllëqe në zbatimin e ligjit dhe kushtetutës që ky institucion e ka jetësore në funksionimin dhe administrimin e procesit zgjedhor. Gjatë mbledhjes së djeshme të KQZ, nga 3 anëtarët e tij u vërejtën të njëjtat simptoma si edhe të mbledhjeve të mëparshme; përpjekje të gjithanshme për të penguar vijimin e punës si dhe përqasje të dukshme të tyre ndaj varësisë politike të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Produkt i kësaj reprezalje është edhe mos miratimi i mandateve të këshillit bashkiak të Tiranës. KQZ kishte planifikuar certifikimin e kandidatëve fitues të këshillit, bashkiak, por opozicioni i pakuptimtë i krijuar nga 3 anëtarët e tjerë të KQZ-së (kuorumi me 5 vota “pro”), e bëri të pamundur ndarjen e mandateve. Me të drejtë, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, do të akuzonte 3 anëtarët e KQZ-së me në krye nënkryetaren e KQZ-së, Dëshira Subashi, se janë anti -ligjeve, anti-kushtetutës dhe anti-shtetit. Risani akuzoi Subashin për mungesë kontributi në punën e Komisionit. “Ju jeni anti-shtet, ju jeni anti-institucion, jeni partiak dhe nuk jeni të pavarur. Asnjë kontribut nuk keni dhënë në gjithë këtë proces, veçse keni tentuar me të gjitha format për bllokimin e punës së KQZ-së”- deklaroi kreu i KQZ-së Arben Ristani, duke iu drejtuar nënkryetares së këtij institucioni Dëshira Subashi. Edhe pas këtij momenti, roli i 3 përfaqësuesve të majtë, mbeti i njëjtë, duke mos dhënë konsensusin e vendimmarrjes së KQZ-së.
KQZ nuk miraton aktin për mandatet e këshillit bashkiak. Arben Ristani: KQZ i mbijetoi një procesi të vështirë/Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, duke iu referuar procesit të zgjedhjes së kryetarit të bashkisë së Tiranës, tha dje se KQZ i mbijetoi një procesi të vështirë me kompetencë dhe profesionalizëm. Në fillim të mbledhjes, ku Komisioni Zgjedhor pritej të miratonte p/vendimin për shpërndarjen e mandateve për këshillin bashkiak për Bashkinë Tiranë, Ristani përshëndeti vendimet e marra nga Kolegji Zgjedhor, të cilat i konsideroi ligjore dhe konfirmuese për vendimet e marra më parë nga vetë KQZ. “Kishim të bënim me një proces ku transparenca ishte e shkëlqyer. Sigurisht për më skeptikun në këtë vend ky proces tregoi se shteti ligjor funksionon”- tha Ristani. Gjatë diskutimit në parim të p/vendimit për shpërndarjen e mandateve për këshillin bashkiak, përfaqësuesi ligjor i PS-së, Eridian Salianji, tha se kjo tabelë nuk mund të miratohet pasi ajo nuk shpreh vullnetin e zgjedhësve. “Nuk mund ta realizoni miratimin e kësaj tabele, pasi në asnjë pjesë të saj nuk duket vullneti i zgjedhësve”- tha ai. Sipas tij, KQZ nuk arriti të përputhte vullnetin e votuesit me fletën e votimit, sepse po të bëhej kjo, do të dilte në pah manipulimi i bërë. “Ju nuk bëtë detyrën që kishte ngarkuar vendimi i Kolegjit Zgjedhor që të miratonit tabelën për çdo qendër votimi se aty do të dilte manipulimi dhe mospërputhja mes fletëve të votimit dhe numrit të votuesve”- tha Salianji. Ndërkohë, përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, i ftoi anëtarët e KQZ-së të miratojnë p/vendimin e paraqitur në mënyrë që bashkia e Tiranës të fillojë sa më parë nga puna. “Qyteti ka probleme të shumta, ndaj ftoj opozitën që me përgjegjësinë e detyrës qytetare të miratojnë aktin e paraqitur”- tha Kosovrasti.
Ndërkaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ), gjatë mbledhjes së djeshme nuk arriti të miratojë për mungesë kuorumi (5 vota) p/vendimin “Për shpërndarjen e mandateve për këshillin e Bashkisë Tiranë, për zgjedhjet vendore të 8 majit”, i cili u votua në parim me 4 vota pro dhe 2 kundër. Përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës debatuan për tabelat e rezultateve në Tiranë, të cilat u kundërshtuan nga përfaqësuesit ligjorë të PS-së, me argumentin se nuk paraqesin vullnetin e vërtetë të zgjedhësve, për shkak të mospërputhjes mes numrit të votuesve dhe fletëve të votimit. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, kundërshtoi aktin duke iu referuar votës së saj kundër aktit të tabelave për Tiranën. “Në bindjen time ligjore pasqyrimi i votave në kutinë e gabuar nuk mund të cenonte tabelën e rezultateve në kundërshtim me kriteret e KQZ-së. Sa kohë kam votuar bazën e kësaj kundër, nuk mund të votoj sot pro”- tha ajo. Sipas tabelës përmbledhëse të KQZ-së, në bazë të votave të marra në zgjedhjet vendore të 8 majit, koalicioni i djathtë “Aleanca për Qytetarin” do të ketë 28 vende në këshillin bashkiak të Tiranës, ndërsa koalicioni i majtë “Aleanca për të Ardhmen”, 27 vende. Mbledhja e ardhshme e KQZ-se do të mbahet sot në në ora 11:00.