Gjykata e Lartë, shuplakë Prokurorisë, rrëzon akuzat e ngritura ndaj kryetarit të LSI-së, Ilir Meta

Video-përgjimi Meta-Prifti do t’i nënshtrohet ekspertimit nga e para, për të vërtetuar edhe një herë autenticitetin dhe më pas do vendoset nëse do të merret si provë, apo jo. Gjykata e Lartë hodhi poshtë dje ekspertizën e Prokurorisë së Përgjithshme me ekspertin amerikan
Gjykata rrëzon ekspertizën e Prokurorisë ndaj video-skandalit të Dritan Priftit, duke vendosur ri-inspektimin e materialit. Vendimi është marrë dje në mesditë nga Kolegji Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i cili do të vendosë edhe ekspertët që do të ribëjnë edhe një herë ekspertimin e videos, e cila më parë i është nënshtruar ekspertimit nga ekspertë amerikanë. Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, ekspertiza e mëparshme me ekspertë amerikanë ka krijuar paqartësi dhe njëherazi ka pasuar në ngritjen e pretendimeve nga palët se, materiali është pjesë e një montature, çka e bënte të besueshëm fakti se videoja nuk përcjell zërin si dhe ka shkëputje që dyshohet se i përket materialit të trukuar, siç edhe ka pretenduar ish zv/kryeministri Ilir Meta. Ekspertimi i bërë nga amerikani, i ka kushtuar një sasi të madhe parash taksapaguesve shqiptarë, pasi eksperti ka qenë i huaj. Pas këtij vendimi, kanë reaguar edhe avokatët e Ilir Metës, Petrit Serjani dhe Gëzim Veleshnja, që këtë vendim e kanë cilësuar si sukses të ish-zv/Kryeministrit. Gjatë një konference për shtyp, avokatët Veleshnja dhe Serjani, pohuan se “kolegji, në vendimin e tij të dhënë në seancës gjyqësore të zhvilluar sot (dje) vendosi të pranojë dy kërkesat e mbrojtjes së z. Meta, që çështja të mos pushohet për shkak të tejkalimit të afatit të hetimit dhe për shkak të kryerjes së veprimeve hetimore ndaj një personi me imunitet”. “Vendimi i Kolegjit Penal i Gjykatës së Lartë konfirmoi drejtësinë e pretendimeve tona nga njëra anë dhe nga ana tjetër shkeljet e vazhdueshme të ligjit të kryera nga ana e organit të akuzës. Kërkesa për provat materiale për tu deklaruar të papërdorshme Kolegji Penal vendosi që të shprehej në një fazë tjetër të shqyrtimit gjyqësor. Nëpërmjet pranimit të kërkesave tona Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vënë në dyshim vetë thelbin e çështjes e cila është e lidhur me videon dhe aktin e ekspertimit të saj. Pavlefshmëria e akteve të ekspertimit ka shkaktuar edhe një kosto për taksapaguesit shqiptar sepse ekspertët të thirrur nga Amerika dhe nga Anglia janë paguar për veprimit që kanë kryer. Ishte ky akt ekspertimi i deklaruar nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë si i pavlefshëm për shkak të shkeljeve të ligjit i cili u përdor nga ana e organit të akuzës si bazë për heqjen e imunitetit të z. Meta. Ky veprim dëshmon qartë drejtimin politik të këtij procesi”- deklaruan ata. Seanca e djeshme e Gjykatës së Lartë ka çuar gjithashtu edhe në rrëzimin e kërkesave të ish- zëvendëskryeministrit Ilir Meta për pavlefshmëri të hetimeve lidhur me video-përgjimin Meta-Prifti. Sipas vendimit të Kolegjit me relator, gjyqtarin Ardian Dvorani, ish-ministri dhe zëvendëskryeministri, Ilir Meta do t’i nënshtrohet një gjykimi normal dhe të plotë, gjë të cilën, Ilir Meta e kishte kërkuar nëpërmjet një Memo dërguar Gjykatës së Lartë. Kërkesa për pavlefshmëri e ish-zv/kryeministrit Ilir Meta lidhej me publikimin e një video-përgjimi të realizuar nga ish-ministri Dritan Prifti në zyrën e këtij të fundit. Në seancën e 20 qershorit, gjatë paraqitjes së kërkesave paraprake të mbrojtjes, avokatët e ish-numrit dy të qeverisë Berisha kërkuan pavlefshmëri të veprimeve hetimore të organit të akuzës të kryera nga 12.1.2011 deri më 16.2.2011, pasi, sipas tyre, janë kryer në një kohë që Meta gëzonte imunitet. Pavlefshmëria u kërkua edhe për veprimet hetimore në periudhën 12.4.2011-9.5.2011, si të kryera jashtë afateve ligjore si dhe për aktet e ekspertimit, dëshmitë e Dritan Priftit dhe provat materiale të sekuestruara nga Prokuroria. Ilir Meta u dërgua si i pandehur në Gjykatën e Lartë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme më 9 maj të këtij viti me akuzën e “korrupsionit aktiv”. Hetimi ndaj tij nisi pas publikimit të një video-përgjimi të realizuar nga ish-ministri Dritan Prifti në zyrën e këtij të fundit, kur Prifti mbante postin e ish-ministrit të Ekonomisë, ndërsa kreu i LSI-së Ilir Meta mbante postet e zv/kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme.
...