Hasan Lika, trajneri i Apolonisë
Hasan Lika është trajneri i ri i Apolonisë, duke pasuar në bankinën fierake ish-teknikun boshnjako-serb Esad Karishik, i vetëlarguar pas humbjes 2-3 me Kastriotin në javën e 10-të të Kategorisë Superiore. Hasan Lika e nisi sezonin në krye të Vllaznisë, me të cilën mbijetoi deri në javën e 5-të të këtij sezoni të Superligës, pavarësisht se ish-trajneri i Partizanit, kishte mundur të kalonte një tur kualifikues në Ligën e Europës kundër irlandezëve të Sligo Roversit. Ish-trajneri i Apolonisë, Esad Karishik dha dorëheqjen si trajner i Apolonisë edhe pse kishte mundur të e formatojë një Apoloni të fortë në 10 javët e para të sezonit: 17 pikë, 5 fitore, 2 barazime, 3 humbje.
Bashkë me të nga skuadra fierake u largua edhe ndihmësi i tij, Kenan Kolashinak. Karishik ishte trajneri i gjashtë që ka dhënë dorëheqjen apo është shkarkuar në dhjetë javët e para të sezonit 2009-2010. Apolonia do të jetë skuadra e gjashtë në karrierën e Hasan Likës, pasi ish-lojtari i njohur i Partizanit, ka drejtuar më parë Lushnjën, Partizanin, Teutën, Besën e së fundi Vllazninë.
Ndeshja a parë e Hasan Likës në krye të Apolonisë do të jetë ajo kundër Dinamos në javën mbyllëse të fazës së parë. Lika u përball gjatë këtij sezoni me Dinamon, por në rolin e trajnerit të Vllaznisë, ku të dyja skuadrat u ndanë në “Loro Boriçi” në një barazim pa gola në javën e 4-t. Apolonia synon rikthimin në zonën e europiane, arenë që i mungon që nga sezoni 1999-2000, kur u eliminua nga Genk i Belgjikës në Kupën UEFA. Apolonia ka luajtur edhe kundër francezëve të Okserit në edicionin 1997-1998 të Kupës së Fituesve të Kupave, duke koleksionuar në total katër humbje në katër ballafaqimet e vetme ndërkombëtare duke shënuar vetëm një gol e pësuar 17 të tillë. Skuadra fierake është gjithashtu një nga 16 skuadrat e kualifikuara për në turin e dytë të edicionit të 56-të të Kupës së Shqipërisë, dhe e sheh këtë kompeticion si një mundësi tjetër të paraqitjes së saj në Europë pas gati dhjetë vjetësh.
SUPERLIGA 2009-2010
LËVIZJET E TRAJNERËVE
Shkumbini
Gugash Magani (nga java 1-2). Kristaq Mile (nga java e 3-te)
Flamurtari
Eqerem Memushi (nga java 1-4). Gugash Magani (nga
java e 5-të)
Gramozi
Ilir Qirjako (nga java 1-5). Agim Canaj (nga java e 6-të).
Vllaznia
Hasan Lika (nga java 1-5). Roland Luçi (nga java e 6-të)
Tirana
Ilija Lonçareviç (nga java 1-6). Alban Tafaj (nga java e 7-të)
Apolonia
Esad Karishik (nga java 1-10). Hasan Lika nga java e 11-të.
EKIPET QË NUK KANË NDËRRUAR TRAJNER
Dinamo: Shkëlqim Muça
Besa: Shpëtim Duro
Teuta: Mirel Josa
Skënderbeu: Gerti Haxhiu
Kastrioti: Ramazan Ndreu (nga java e 8-të në bankinë është Shaban Dollaku, pasi Ndreu është pezulluar 5 javë nga FSHF-ja)
Laçi: Stavri Nica
Muça: “Apolonia vlen tri pikë”
Trajneri i Dinamos, Shkëlqim Muça, pohoi se ka në dispozcion të gjithë lojtarët në dispozicion në prag të ndeshjes me Apoloninë e vendit të tretë. “Edhe Erjon Xhafa është bashkuar me grupin”, - tha Muça. Dinamos i rikthehet edhe portieri Elvis Kotori pas pezullimit të ndeshje me Besën. “Përsa i përket ndeshjes me Apoloninë ne do të synojmë të marrim tri pikët”. Në tri ndeshjet e sezonit të kaluar midis dy ekipeve, Dinamo i fitoi të tre përballjet: 3-1, 3-2 në Tiranë dhe 2-0 në Fier. Apolonia zyrtarizoi dje si trajner Hasan Likën pas vetëlargimit të boshnjakut Esad Karishik. Dinamo kryeson kampionatin me 26 pikë, tetë më shumë e se Besa e vendit të dytë dhe nëntë më shumë se Apolonia e Tirana, që ndajnë vendet 3-4 me nga 17 pikë secila.
18 Nentor 2009