Shpresat, Bjellorusia na e ka marrë dorën
Një gol i realizuar nga sulmuesi Odise Roshi në minutën e 76-të nuk mundi të shmangte humbjen 1-2 të Kombëtares U-21 në përballjen me Bjellorusinë, që doli fituese nga “Niko Dovana” falë dy golave të realizuar nga sulmuesi Maksim Skavysh i Bate Borisovit. Për Shpresën e drejtuar nga Artan Bushati kjo ishte humbja e pestë në shtatë takime për eliminatoret e Kampionatit Europian 2011 dhe e dyta në katër takime të luajtura në Shqipëri pas asaj me Skocinë (0-1) në “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit.
PJESA E PARË
Para jo më shumë se 150 tifozëve në “Niko Dovana”, ku personat “VIP” ishin Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dhe trajneri i Kombëtares A, Josip Kuzhe, Shpresat bënë një paraqitje të dobët përballë Bjellorusisë dhe në kontrast të plotë më atë që zhvilluan në barazimin 2-2 me Austrinë në “Qemal Stafa” vetëm katër ditë më parë. Edhe pse tekniku Artan Bushati hodhi nga minuta e parë katër “senatorë” të marrë nga Kombëtarja A (Ujkani, Veliu, Vila dhe Hyka), Shqipëria U-21 ishte në hije deri në momentin kur Roshi realizoi golin e nderit. Në fakt, Bjellorusia falë edhe një rreshtimi të gabuar në mbrojtje e një mosmbulimi të mirë të Franc Veliut shënoi qysh në minutën e 8-të të ndeshjes me anë të 20-vjeçar Skavysh, duke frenuar para kohe entuziazmin e Kombëtares sonë. Përpjekja e parë e Shpresave tonë fiksohet në minutën e 19-të, kur mesfushori i Tiranës, Erando Karabeci, tentoi të zinte në befasi portierin bjellorus Gomelko. Dy minuta më pas Emiljano Vila nuk mundi të rrezikonte me anë të goditje së lirë. Trajneri Bushati në minutën e 33-të zëvendësoi Erando Karabecin për Ahmed Januzin, ndërkohë që dy minuta më pas Kombëtarja jonë pretendon një 11-metërsh, por gjyqtari zviceran Zherom Lapier nuk denjoi ta jepte. Një minutë më pas erdhi edhe goli i dytë i Bjellorusisë, sërish me anë të Maksim Skavyshit, ky i fundit realizoi me një goditje brenda zonës, me një të majtë cinike, duke mposhtur për herë të dytë Samir Ujkanin.
PJESA E DYTË
Fraksioni i dytë i ndeshjes nisi me zëvendësimin e Franc Veliut nga ana e Altin Hoxhës, lojtar që luan me Teutën në kampionatin shqiptar. Në minutën e 55-të Sivakov goditi shtyllën nga një goditje e lirë, përpara se gjyqtari të anulonte një gol për bjellorusët në minutën e 60-të për pozicion të dukshëm jashtë loje. Dy minuta më pas, fantazti i Mainc 05, Jahmir Hyka, harkoi një top brenda zonës, bjellorusi Vitus spastroi zonën me kokë dhe aty në ecje e sipër Vila goditi në formë veleji, duke dhënë sinjalin e parë të kthesës së Shqipërisë U-21, deri atëherë në një ditë komplet të errët. Në minutën e 73-të, Bushati hodhi në fushë edhe talentin 17-vjeçar Vasil Shkurtaj në vend të kapitenit Enco Malindi . Sulmuesi i Olimpiakosit në kampionatin grek, në fakt ishte në bankinë edhe në ndeshjen kundër Austrisë, por pa pasur mundësi të të luante. Pas vetëm tri minutash mbërriti edhe goli i nderit i Shqipërisë, kur sulmuesi i Flamurtarit, Odise Roshi, shfrytëzoi me zgjurasi një asist të dhuruar nga e majta e sulmit tonë nga ana e Olsi Gocajt, duke mposhtur portierin bjellorus Gomelko. Ky ishte goli i tretë i fierakut Roshi, pas dy të realizuar kundër Austrisë, një në Vjenë e tjetrin në Tiranë, por dhe goli i tretë i Shqipërisë në dy takime kundër Bjellorusisë, përfshirë dhe ato të shënuar nga Ahmed Januzi e Vilfor Hysa në humbjen 4-2 në trasnfertë. Minuta e mbetura ishin më intensive me Shqipërinë në kërkim të golit të dytë dhe Bjellorusisë për të garantuar fitoren e çmuar në Durrës. Portieri i Kombëtares A, Samir Ujkani, të paktën në dy raste nuk i lejoi formacionin e drejtuar nga Georgi Kondratiev të shënonte golin e tretë, së pari në minutën e 83-të, kur grushtoi një top të gjuajtur brenda zonës nga bjellorusi Skavish, dhe në rastin e dytë në minutën e 90-të, tri minuta përpara se zvicerani Lapier të vuloste përfundimisht humbjen e dytë të Shqipërisë U-21 me Bjellorusinë. Aventura e Shqipërisë në eliminatoret e Kampionatit Europian 2011 do të mbyllet me ndeshjen në transfertë ndaj Azerbajxhanit, më 4 shtator 2010. Shqipëria pas shtatë ndeshjesh ndodhet në vendin e parafundit me 4 pikë, duke pasur në bilancin e saj: 1 fitore (me Azerbajxhanin), 1 barazim me Austrinë dhe 5 humbje (me Skocinë, 2, Austrinë dhe Bjellorusinë, po 2). Grupi 10 kryesohet nga Skocia dhe Bjellorusia, të dyja nga 12 pikë. Austria ndodhet në vendin e tretë me 10 pikë, Shqipëria e parafundit me 4 pikë dhe Azerbajxhani i fundit me asnjë pikë.
ELIMINATORET U-21
NDESHJET E SHQIPËRISË
Shqipëri-Skoci 0-1
Skoci-Shqipëri 5-2
Shqipëri-Azerbajxhan 1-0
Austri-Shqipëri 3-1
Bjellorusi-Shqipëri 4-2
Shqipëri-Austri 2-2
Shqipëri-Bjellorusi 1-2
Azerbajxhan-Shqipëri 04.09.2010
RENDITJA
Skocia 5 4 0 1 12
Bjellorusia 5 4 0 1 12
Austria 5 3 1 1 10
Shqipëria 7 1 1 5 4
Azerbajxhan 4 0 0 4 0
Golat, spikat fenomeni “Roshi”
Edhe pse është pritur më shumë nga Ahmed Januzi e Vilfor Hysa, “rekordmeni” është sulmuesi i ri i Flamurtarit, Odise Roshi. Fieraku ka shënuar 3 nga 9 golat e realizuar nga Kombëtarja U-21: dy të realizuar kundër Austrisë, një në Vjenë e tjetrin në Tiranë, dhe i treti kundër Bjellorusisë. Ajo që vlen të theksohet se Roshi ka shënuar në dy takimet e fundit rresht të Shpresave.
Për Shqipërinë U-21 të drejtuar nga Artan Bushati kanë realizuar edhe Ahmed Januzi (1 gol), Vilfor Hysa (1), Jahmir Hyka (1), Emiljano Vila (1) dhe Arsen Sykaj. Një gol për llogari të Shqipërisë e ka shënuar azerbajxhanasi Guljev, pikërisht në fitoren e vetme të Kombëtares U-21 gjatë këtij edicioni.
18 Nentor 2009