Cana: “Sandërlendi i aftë të mundë Arsenalin”
Kapiteni i Sandërlendit, Lorik Cana, u tregua optimist për një rezultat pozitiv të skuadrës që shqiptari udhëheq në fushë kundër Arsenalit, një prej emrave të mëdhenj të futbollit anglez, e që përkohësisht ndodhet në vendin e dytë në Premier Ligë, me pesë pikë më pak se Çelsi. Kapiteni shqiptar rikthehet pas mungesës së detyruar ndaj Totenhemit dhe synon një sukses trepikësh ndaj “topçinjve” të Arsen Vengerit në “Stadiumin e dritës” përballë publikut të zjarrtë të “maceve të zeza”. Sanderlendi është duke bërë një nga sezonet më të mira të tij në kampionatin më të fortë të botës, duke u renditur për momentin në vendin e tetë, por me disa paraqitje fantastike veçanërisht kundër dy gjigantëve britanikë, Mançester Junaitid (barazoi 2-2) dhe Liverpulit (1-1).
Arsenali është skuadra e katër e të ashtuquajturve “high-four” që do të përballet me Sandërlendin, teksa skuadra e Canës ka pësuar humbje 3-1 me Çelsin, në një takim ku Loriku është votuar edhe si lojtari më i mirë i skuadrës së tij. “Disa herë kur ne luajmë kundër ekipeve të mëdha ne rrisim gjithmonë nivelin e përqendrimit, perfomancës dhe shpirtit luftarak”, - tha 26-vjeçari shqiptar për gazetën angleze “Telegraf”. “Tani ne kemi nevojë që ta ruajmë këtë dhe jo ta humbim këtë frymë siç edhe kemi bërë në dy apo tri ndeshje. Të shtunën unë jam i sigurt se ne do të jemi gati dhe do të bëjmë gjithçka mirë. Arsenali është një skuadër shumë e mirë, pa asnjë dyshim. Do të luftojë për titullin me Mançester Junaitid dhe Çelsin. Është duke luajtur shumë mirë, veçanërisht në javët e fundit, si në ndeshjet brenda ashtu dhe në ato jashtë shtëpisë. Loriku tregon edhe forcën mbi të cilën mbështetet Arsenali. “Gjithçka e ndërtojnë nga mesfusha, duke e arritur golin me pasa të shpejtë dhe më shumë lëvizje e vrapime. Ne duhet të kemi një organizim të mirë e të komunikojmë në mënyrën e duhur. Ne i kemi lojtarët dhe sistemin për të gjetur zgjidhjen për këtë ekip”. Cana, i cili në kaluarën e largët është vlerësuar nga trajneri i i Arsenalit, Arsen Venger, dhe i është bërë një ftesë për të marrë pjesë në një test prove të parealizuar për shkak të mosmarrjes së vizës britanike, do të jetë në aksion pas pezullimit që e mbajti larg fushës në humbjen 2-0 kundër Totenhemit. “Ishte shumë e vështirë për mua ti shihja shokët e mi të ekipit nga tribuna”, - tha ish-mesfushori i Marsjeës dhe Paris Sën Zhermenit në Francë. “Nuk mund të bëja dot asgjë. Veçanërisht për mua ishte shumë torturuese. Por, unë nuk kisha asnjë zgjidhje dhe ishte shumë e rëndësishme për mua të isha atje dhe të mbështesja shokët edhe pse nuk mund të luaja”.
“Rezultati minimal do të ishte një barazim pasi ne luajtëm mirë në 70 minutat e parë, ku ne ishim edhe ekipi më i mirë në fushë”.
Arsenali do të përpiqet nga ana e tij të zgjasë serinë prej 13 ndeshje pa humbje, qysh prej humbjes me Mançester Siti në mes të muajit shtator, ndërkohë që Sandërlendi i Stiv Brusit nuk fiton prej katër ndeshjesh qysh kur mundi Liverpulin një muaj më parë.
KUALIFIKUESET
E KUPËS SË BOTËS
ZONA EUROPIANE
NDESHJET PLEJ-OF
Të shtunën, 14 nëntor
Rusi-Sloveni 2-1
Greqi-Ukrainë 0-0
Portugali-Bosnjë 1-0
Irlandë-Francë 0-1
Sot, 18 nëntor
Bosnjë- Portugali
Francë-Irlandë
Sloveni-Rusi
Ukrainë-Greqi
18 Nentor 2009