E Diel, 1 Nëntor 2026

Hasan Nallbani me Kompozim fiton Onufri 2009

Shpallen fituesit e Ekspozitës Ndërkombëtare të PikturësPiktori Hasan Nallbani me veprën e titulluar Kompozim vaj në kanavacë është shpallur fitues i edicionit të 16 të konkursit ndërkombëtar të arteve pamore Onufri 2009. Piktori u nderua me këtë çmim me motivacionin: Për cilësinë dhe origjinalitetin që karakterizon pikturën e tij në këtë fazë të fundit. Për një liri kompozimi, i cili karakterizohet nga një tension vital shprehës. Këto cilësi që janë shumë aktuale në ditët e sotme. Çmimi i dytë u nda mes dy artistëve të rinj,

dhe shkoi për Aldi Zgjani për veprën Sit still seekingme motivacionin për një krijimtari të menduar konceptualisht, të përpunuar mirë, plot finesë dhe delikatesë, po ashtu çmimi i dytë shkoi dhe për piktorin Enkeled Zonja për veprën Përrallë nga 97 me motivacionin për një teknikë të lartë piktorike, me të cilën ka ndërtuar një kompozim kompleks, narrativ me simbole sociale dhe metaforike. Piktori i traditës, Hasan Nallbani është rikthyer në këtë edicion tek tema e erotizmit, një shije e ndaluar në kohën e diktaturës. Juria që përzgjodhi fituesin e këtij edicioni ishte e përbërë nga Francesco Poli, kryetar jurie, kritik i njohur i Artit në Itali dhe Francë; Alma Mile, anëtare, gazetare në fushën e kulturës dhe të artit; si edhe Suzana Varvarica Kuka, anëtare, studiuese Arti në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë. Edicioni i 16-të i Onufrit vinte me titullin Dëshira dhe dëshmi, për të cilat kuratori Parid Teferiçi u shpreh se: Ky konkurs që mban emrin e piktorit të madh shqiptar, Onufrit, do përfaqësojë më denjësisht emrin e tij kur ne të kemi bërë njëlloj rikthim të pikturës, dhe në këtë pikë unë kam qenë i qartë që kur grupi organizator më ka besuar kurimin e ekspozitës. Ky edicion vjen i veçantë nga vitet e tjera, sepse çdo artist ka sjellë pikturën e vet pa ndonjë temë të caktuar, që sipas kuratorit Parid Teferiçi lejon liritë e çdo artisti. Në ekspozitën e hapur më 24 dhjetor, u vendos nga kuratori që këtë vit të kishte të pranishme vetëm punët e artistëve shqiptarë, duke lënë jashtë saj ekspozimet e të huajve. Onufri i këtij edicioni është i pasur në gjini të ndryshme si fotografia, instalacioni dhe videoinstalacionet. Si një pikë e rëndësishme e konkursit është konsideruar emri i artistit Gjelosh Gjokaj, një piktor me emër, ndërsa piktori i njohur Vladimir Myrtezai prezantohet me një video-instalacion. Në këtë ekspozitë marrin pjesë edhe artistë shqiptarë në mërgim, ndër të cilët është edhe njëri nga pjesëmarrësit, piktori Zini Veshi, i cili ka ardhur nga Amerika ku zhvillon artin e tij. Piktori Veshi solli elemente të reja të shprehjes artistike, duke ruajtur themelet e stilit unik që ka krijuar që në Shqipëri. Robert Aliaj prezantoi projektin me titull Hijena dhe minj, i cili ngacmohet nga vënia në pikëpyetje e dinjitetit human nëpërmjet mediave elektronike në ditët e sotme, por që trajtohet në formën e një  përralle klasike të përshtatshme për fëmijë. Një risi e ekspozitës vjetore Onufri ishte përfshirja për herë të parë e një përzgjedhjeje studentësh të Akademisë së Arteve që marrin pjesë pa qenë në konkurrim për çmim. Kjo përzgjedhje i është besuar artistit Gentian Shkurti, i cili i ka dhënë mundësinë e ekspozimit tre studenteve të Akademisë së Arteve, Donika Çino, Entela Hoxha dhe Anjeza Dyrmishi të ekspozojnë krahas artistëve të afirmuar të skenës dhe të pasqyrojnë zhvillimet në institucionin formues artistik. Kriteret për pranimin e punëve në këtë edicion ishin cilësia e veprës, puna të ishte përfaqësuese e momentit aktual të artistit dhe të rrinte mirë me punët e tjera të ekspozitës. Onufri, i organizuar për herë të parë në vitin 1993, mban emrin e Onufrit, kryemjeshtrit të pikturës së shekulli XVI.
Artistët pjesëmarrës në Onufri 2009Robert Aliaj, Ervin Bërxolli, Albion Bogdani, Donika Çino, Klodian Dedja, Anjeza Dyrmishi, Najada Hamza, Eugert Hykaj, Edmond Gjikopulli, Gentian Gjikopulli, Yllka Gjollesha, Gjelosh Gjoka, Helidon Haliti, Entela Hoxha, Ziso Kamberaj, Blerta Kambo, Greta Lami, Olson Lamaj, Gazmend Leka, Elsa Martini, Gazmend Muka, Fatmir Musai, Vladimir Myrtezai, Hasan Nallbani, Sokol Peçi, Gent Pipa, Gëzim Tafa, Zihni Veshi, Pleurad Xhafa, Aldi Zgjani, Enkelejd Zonja. Nga Julia Vrapi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›