E Shtunë, 31 Tetor 2026

'Java e Evropës' shënohet me aktivitete të ndryshme

Nga Express më 08 maj 2011 në ora 17:43

Në kuadër të manifestimit “Java e Evropës” që ka filluar nga 6 maji e që do të zgjasë deri me 11 maj, Zyra e Komisionit Evropian në Kosovë, të dielën ka organizuar një aktivitet për pastrimin e ambientit dhe shëtitje në parkun Germia, me ç’rast është mbajtur një turne me çiklist.

Sipas organizatorëve gjatë manifestimit “Java e Evropës” janë paraparë të zhvillohen aktivitete të ndryshme, ndërsa sipas tyre të hënën do të mbahet edhe panairi i rrugës në Prishtinë ku parashihet të marrin pjesë ambasada të shteteve të ndryshme në Kosovë.

Arta Istrefi, menaxhere e ngjarjeve në Zyrën ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, ka thënë se ky manifestim është quajtur “Java e Evropës”, për shkak se për disa ditë rresht do të organizohen aktivitete të ndryshme, kulturore e sportive.

Ajo ka theksuar se qëllimi i turneut të sotëm me çiklist ka qenë që te qytetaret të transmetohet një mesazh që të përdorin më tepër këto mjete sesa automjete të tjera në mënyrë që të kemi një ajër më të pastër.

“Kjo është ngjarje tradicionale e Zyrës ndërlidhëse Evropiane edhe pse është “Dita e Evropës”, ne këtë vit e kemi quajtur “Java e Evropës” për se ka fillua nga data 6 maj dhe jemi munduar që çdo ditë të shpërndajë aktivitete nëpër komuna të ndryshme që të mos jetë vetëm Prishtina si vend i të gjitha aktivitete, por jemi munduar që t’i përfshijmë edhe komunat tjera me aktivitete të ndryshme sportive apo ndeja të ndryshme”, ka thënë Istrefi.

Për të përkrahur aktivitetin në parkun Gërmia të pranishëm ishin edhe kryetari i Komunë së Prishtinës, Isa Mustafa dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Vlora Çitaku, të cilët nuk janë prononcuar për media.

Kaldun Sino, ushtrues detyre i shefit të Zyrës ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, ka thënë se edhe Kosova është në Evropë, dhe sipas tij m’u për këtë arsye të gjithë së bashku sot po e festojmë ditën e Evropës.

Njëherësh Sino, ka apeluar te qytetarët e Kosovës që më tepër të përdorin biçikleta se sa mjete tjera të transportit, në mënyrë siç është shprehur ai të kemi një ambient më të pastër.

Sipas Sinos, kjo është mënyra më e mirë që qyteti i Prishtinës të çlirohet nga komunikacioni i ngarkuar që vjen si pasojë e përdorimit të makinave.

Në turneun e sotëm, kanë marrë pjesë më tepër se 50 çiklistë, duke përfshirë mosha të ndryshme.

Sipas organizatorëve, sonte do të shfaqet edhe një komedi, ndërsa ngjarja kryesore do të jetë Panairi i Rrugëve që do të mbahet më 9 maj në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›